Greva paralizon Parisin, qytetarët kundër Macron për reformat në pensione

Nga A2 CNN
13 Shtator 2019, 16:44 | Bota

Macron zemëron sërish francezët. Parisi po përballet me bllokime të mëdha, trafik kilometrik dhe turma masive në pak linja metroje aktive, ndërsa punonjësit e transportit janë në grevë kundër reformës së pensioneve.

10 nga 16 linjat e kryeqytetit francez janë jashtë funksionit dhe shërbimi në të tjerat është kaotik. Punonjës të shumtë udhëtuan me biçikleta, në këmbë ose qëndruan në shtëpi. Greva, më e madhja që prej 2007, është akti i parë kundër planit të presidentit Macron për një pension universal të bazuar në pikë, i cili do të zëvendësojë 42 skemat e tjera të profesioneve të ndryshme.

 “Ata nuk mund të na heqin benefitet sociale. Kam punuar prej 25 vitesh për këtë kompani, së shpejti do të jem 50 vjeç, unë nuk mund të punoj deri 70 vjeç duke u zgjuar në 4 të mëngjesit, kjo është e pamundur”, thotë Cecile Gerbeau, një punonjëse në grevë.

Metroja e mbyllur në Paris

 “Jemi këtu për të treguar se nuk jemi të lumtur, që të themi se skema e pensionit është e rëndësishme për ne. Në do të ngrihemi për veten tonë dhe jemi gati të luftojmë”, deklaron një tjetër punonjës, Jonathan.

Zemërimi i qytetarëve është përqendruar kryesisht tek përgjithësimi i pensioneve, mosha dhe heqja e privilegjeve. Qeveria franceze pretendon se sistemi i ri do të jetë i drejtë për të gjithë. Por punonjësit mendojnë ndryshe: ushtrues të profesioneve të ndryshme përfshirë avokatë, punonjës mjekësorë dhe të linjave ajrore kanë bërë thirrje për zgjerim e grevës duke nisur nga e hëna. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos