Refugjatët e Britanisë në Shqipëri? Shtyhet marrëveshja në Kuvend, PD akuzon qeverinë për biznes

Nga A2 CNN
22 Nëntor 2021, 16:34 | Politikë
Refugjatët e Britanisë në Shqipëri? Shtyhet marrëveshja

Debati mbi lajmet e publikuar në mediat britanike për ndërtimin e një kampi refugjatësh në Shqipëri, ka përfshirë edhe Kuvendit.

Komisioni për Sigurinë Kombëtare nuk arriti të votonte marrëveshjen me Britaninë e Madhe për ripranimin e personave pasi opozita akuzoi se prapa kësaj fshihet mundësia për të sjellë emigrantët e paligjshëm nga vende të treta, në këmbim të përfitimeve financiare. 

Prej disa kohësh në mediat britanike qarkullon lajmi për transferimin e emigrantëve të paligjshëm nga Mbretëria e Bashkuar në Shqipëri, lajm ky që është mohuar disa herë nga zyrtarët shtetëror shqiptar.

Pavarësisht kësaj, opozita shqiptare vijon të ketë hijet e dyshimit, gjë që e reflektoi në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë ku u shqyrtua marrëveshja me Mbretërinë e Bashkuar për ripranimin e personave. 

“Kjo është e vërteta. Çfarë janë refugjatët, të cilët ndodhen në Gjibraltar apo në territorin e Britanisë së Bashkuar, për leckash do të ngrihen dhe do të depozitohen të gjithë në Shqipëri. Dhe ky nuk është një problem i vogël. Dhe jo vetëm kaq, por koha e qëndrimit këtu është e pacaktuar”, u shpreh Alibeaj.

Për kryetarin e Komisioni marrëveshja nuk parashikon diçka të tillë, por vetëm një përditësim dokumenti pasi Britania nuk është më në Bashkimin Europian.  

Opozita u shpreh kundër nismës nën argumentin se nuk ka transparencë duke ngritur akuza se prapa saj fshihen përfitime financiare për biznesmenë të caktuar.

“Pse ofrohet ky vend? Të jetë për arsye të mëshirës, shumë mirë bën. Por sipas mediave, dhe sipas marrëveshjes, që kostot do të jenë të vendit kërkues, pra të Mbretërisë së Bashkuar pasi që andej vijnë refugjatë, nuk bëhet për mirësi. Jo jo bëhet për shkak të parave. 100 mijë paund për person. Ky është një biznes”, shtoi Alibeaj.

“Nga kjo marrëveshje nuk na vjen asgjë e keqe. Po me ardh leku, çfarë të keqe ka?”, deklaroi Stërkaj. 

Ndonëse mbledhja u zhvillua me dy pjesë, sërish nuk u arrit gjetja e një mirëkuptimi duke bërë që kryetari i saj ta shtyjë votimin për mbledhjen e radhës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos