
Në ndryshimin e sistemit, në fillimvitet ‘90, Christofer Hill ishte diplomati i parë amerikan që erdhi në vendin tonë.
Mbi 25 vjet më pas, ai rikthehet dhe thotë se shumë gjëra në Shqipëri kanë ndryshuar, janë përmirësuar, por ka edhe shumë për të bërë. Mos-çelja e negociatave është një nga rastet thotë ish-ambasadori, kur mërzia nuk duhet të ndalë punën.
“Ka njëfarë zhgënjimi me mos-hapjen e negociatave në këtë moment. Nuk besoj se zemërimi nuk është mënyra e duhur për të shkuar përpara. Ato çfarë duhet të përmirësohen, janë gjëra të ditura dhe ja vlejnë të realizohen qofshi ose jo në BE. T’i bëni për veten tuaj. Duhet lënë menjanë zemërimi dhe t’i përvisheni punës”.
Si njohës i mirë i gjeopolitikës në Ballkan, ku ka kontribuar edhe si ambasador, Hill u pyet edhe në lidhje me Shengenin-Ballkanik. Sipas tij, asnjë marrëveshje për qarkullimin e lirë të mallrave dhe të njerëzve, nuk mund të nënshkruhet duke penguar marrëveshje të tjera më të mëdha. Lidhur me marrëdhënien Kosovë-Serbi, diplomati amerikan u shpreh: “Ndryshimi i kufijve vjen vetëm me pranim të ndërsjelltë. Jam i mendimit se ndryshimet e kufijve, janë tejet të rëndësishme, dhe nuk mund të bëhen pa një dakordësi të historisë së këtyre kufijve dhe se si njerëzit e atyre vendeve ndihen. Njerëzit duhet të jenë shumë, por shumë të kujdesshëm në këto çështje. Deklaratat e ambasadorit Hill u bënë gjatë konferencës për media që paraprin Samitin e Paqes për Europën Juglindore 2019, qe do të nisë të shtunën në Tiranë. (A2 Televizion)