
Mazhoranca do të shfrytëzojë OSBE-në si korriere për t’u njohur me amendamentet që opozita po bën jashtë Parlamentit për Reformën Zgjedhore.
Edhe pse i anatemuar personalisht nga demokratët, Damian Gjiknuri la të kuptohet se kjo do të jetë forma e re e kompromisit që i ofrohet PD-së, pas refuzimit të kësaj të fundit për të sjellë vëzhguesin e saj me të drejtë vetoje në komision.
“Nëse do të përgatisin draftet e tyre, duke ia dhënë edhe OSBE-së, dhe jo neve në mënyrë të drejtpërdrejtë, do t’i marrim dhe do t’i trajtojmë. Do të bëjmë çmos që çdo propozim i PD-së në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR, do t’i marrim parasysh”, tha Gjiknuri.
Madje shkon dhe më tej kur pretendon se po i afrohet kërkesës së opozitës jashtëparlamentare për qeveri teknike.
Përballë këtyre lëvizjeve, opozita brenda Parlamentit vendosi gjithashtu të sjellë amendamentet e saj për sistemin zgjedhor. Ky vazhdon të jetë kushti kryesor i saj për të dhënë votat për Reformën Zgjedhore. Vota të cilat Rudina Hajdari është e vetëdijshme se mund të rrjedhin.
Brenda nëntorit ekspertët do të sjellin paketën e dytë të amendamenteve bazuar në rekomandimet e ODIHR e fokusuar totalisht tek administrata zgjedhore. (A2 Televizion)