
Rrëshqitjet e dheut dhe vërshimi i ujrave kanë bllokuar disa pika në zonat malore të Dukagjinit.
Për momentin janë të bllokuar disa fshatra në aksin Theth-Ndërlysa dhe në segmentin tjetër Ndërlysa- Breg Lumi. Banorët e këtyre zonave ndodhen të izoluar për shkak të bllokimit të rrugëve, shkruan A2.
Pritet ndërhyrja me mjete të Bashkisë Shkodër dhe Emergjencave Civile, bashkë me Forcat e Ushtrisë, për të bërë të mundur zhbllokimin e këtyre zonave të bllokuara dhe rikthimin në normalitet të qarkullimit për banorët.
Rruga Shkodër-Theth është e kalueshme normalisht dhe nuk ka probleme. Edhe akset e tjera në qarkun Shkodër, ato nacionale dhe segmente kryesore janë të qarkullueshme normalisht.
Ajo që mbetet një shqetësim është mungesa e energjisë elektrike në shumë fshatra të bashkisë Vau Dejës, por edhe në zona të tjera malore ku ka përkeqësim të motit.
Ndërkohë, një shtëpi banimi është djegur nga flakët në fshatin Preknicaj të Shkrelit në Malësinë e Madhe.
Zjarri mësohet se ka rënë rreth orës 02:00 të natës në shtëpinë dykatëshe të shtetasit Zef Preknicaj. Pavarësisht ndërhyrjes së zjarrëfikësve banesa në fjalë, është shkrumbuar plotësisht duke shkaktuar dëme të mëdha materiale, ndërsa nuk ka persona të lënduar në njerëz.
Shkaku i rënies së zjarrit nga hetimet paraprake mendohet të jenë shkarkesat elektrike për shkak të kushteve atmosferike të përkeqësuara në 24 orët e fundit. Një rrufe mendohet se ka shkarkuar në këtë shtëpi duke shkaktuar zjarrin që e dogji plotësisht shtëpinë.
(A2 Televizion)
