
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një bashkëbisedim online, ka komentuar vendimin e Policisë së Shtetit, që nuk i dha leje opozitës për të mbajtur protestën e paralajmëruar për në 6 dhjetor, ditën kur në Tiranë mbahet Samiti i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor.
Sipas Berishës, tubimi i njoftuar nga opozita do të mbahet në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ pa cënuar sigurinë e pjesëmarrësve në këtë Samit.
Lidhur me këtë njoftim, i rikujtoj këtyre vasalëve të Edi Ramës, se Kushtetuta nuk njeh kufizime për protestat dhe liritë e qytetarëve. Por krahas kësaj, ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, që vendos se protestuesi nuk ka asnjë detyrim që të njoftojë policinë. Së treti, Policia e Shtetit e Edi Ramës, po e trajton samitin e liderëve të BE, sikur këtu po mblidhen diktatorët e botës, në një kohë kur ata që vijnë në Tiranë janë shtetarë të zgjedhur me votën e lirë.
Sali Berisha
Sipas kreut të PD, qytetarët shqiptarë do të vërshojnë të gjithë ata që ëndrrën europiane e kanë më të çmuarën.
Do jetë një protestë që nuk është parë ndonjëherë. Do jetë një protestë ku do buçasë në çdo anë thirrja, E duam Shqipërinë si gjithë Europa. Thirrja: Edi Rama dhe narko-shteti nuk përfaqësojnë Shqipërinë, Edi Rama dhunues kryesor i votës së lirë në Europë pas Lukashenkos, Edi Rama, një vasal i verbër i Vuçiçit dhe avokat mjeran i Rusisë së Vogël dhe Putinit. Kemi kaq motive për të qenë në shesh duke garantuar sigurinë e plotë të miqve tanë, të cilët i përshëndesim dhe e konsiderojmë nderim të madh për kombin shqiptar. (A2 Televizion)
Sali Berisha