
Pasioni ndonjëherë të bën të harrosh çdo gjë tjetër. Regbi është një nga ato sportet e reja në Shqipëri ku mbështjeta është minimale, kushtet lënë shumë për të dëshiruar dhe e vetmja gjë që nuk mungon është dëshira për të qenë gjithmonë protagonist dhe mes më të mirëve në Europë.
Këta janë djemtë e skuadrës së Tiranës, që stërviten çdo ditë në një kalçeto në kryeqytet për pasionin e tyre më të madh. Sot që flasim janë rreth 35 djem të ndarë në dy skuadra, “Ilirët” dhe “Tirana”, që po bëjnë çmos për ta shtyrë këtë sport të ecë përpara. Vështirësitë që djemtë bardheblu tregojnë janë të mëdha, por për asnjë moment nuk kanë menduar të heqin dorë prej tij.
Arnaldo Telo është dhe Presidenti i “Tirana Regbi”. Ai është kthyer në një veteran tanimë, por ajo që thekson është se nga viti në vit, niveli i regbisë po rritet. Ai tregon se pjesëmarrja në Balkan League mund të konsiderohet një sukses më vete, e vetmja gjë që pritet tani është krijimi i një federate.
Edhe kapiteni i skuadrës, Neritan Tafili, u shpreh se mbështetja nga institucionet përkatëse mungon, edhe pse ata po bëjnë çmos për ta arritur këtë. Ai tregoi dhe rrugën që duhet ndiqet që ky sport të ecë përpara: “Zgjerimi i ekipeve të reja. Me zgjerim, mund të merren certifikatat për arbitër dhe trajnerë”.
Forca, dëshira dhe adrenalina që ata marrin kur luajnë regbi tejkalon çdo limit. Kjo është arsyeja kryesore që i bashkon këta djem për të mos hequr dorë asnjëherë nga ëndrra e tyre më e madhe.
Për të qenë pjesë e regbisë nuk ka një limit moshe, mjafton të kesh dëshirën, pasionin dhe vullnetin për t’u stërvitur çdo ditë.
Këta ishin djemtë e “Tirana Rugby”. Forcë, adrenalinë, grintë, në këtë mënyrë e përshkruajnë ata sportin e tyre të preferuar. Një sport që në dukje duket i ashpër, por nëse e luan atë, bëhesh automatikisht pjesë e familjes. (A2 Televizion)