Regjimi ''41 bis'', Avokati i Popullit: Shqipëria ka tejkaluar masat e rreptësisë

Nga A2 CNN
5 Tetor 2020, 16:41 | Kronikë
Regjimi ''41 bis'', Avokati i Popullit: Shqipëria ka

Avokati i Popullit i ka dërguar një shkresë me rekomandime ministres së Drejtësisë dhe drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve për sa i përket regjimit "41 Bis". Pas verifikimeve në burgun 313 dhe në Peqin, Avokati i Popullit thotë se masat janë më të rrepta se vetë modeli italian dhe në tejkalim të standardeve ndërkombëtare.

Genci Balla një nga të dënuarit si pjesë e grupit të xhihadistëve që rekrutonte luftëtarë shqiptarë dhe i dërgonte në Siri, kërkon ushqim sipas ritit fetar. I ndodhur në regjimin "41 Bis" në Peqin ai ka refuzuar ushqimin, ndërsa ka kërkuar dhe orare më të zgjatura ajrimi, por edhe pasjen e mjeteve të informimit si televizor apo dhe radio.

Për problemet e regjimit "41 Bis" pas ankesave edhe nga disa të dënuar të tjerë Avokati i Popullit inspektoi burgun Jordan Misja dhe atë të Peqinit.

Erinda Ballanca i ka dërguar një shkresë Ministrisë së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, lidhur me disa nga rekomandimet për "41 Bis", por ajo që bie në sy është se sipas Avokatit të Popullit legjislatori shqiptar ka tejkaluar dhe vetë rreptësinë e masave italiane nga ku është huazuar regjimi.

Në burgun 313 pas ankesave të dënuarit Emiljano Shullazi Avokati i Popullit ka konstatuar mungesë të kushteve higjieno-sanitare në ambientet e përbashkëta. Sipas inspektorëvenë në këtë burg nuk ka një vendim të drejtorit të përgjithshëm për higjienën e ambienteve.

Gjithashtu një tjetër problematikë është dhe mungesa e dritës në dhoma, por edhe nevoja për pasjen e televizorit, apo dhe radios në orare të përcaktuara si një e drejtë e të burgosurve për t’u informuar. Veç rekomandimeve të cilat duhet të jenë sipas modelit italian komisionerët shprehin shqetësimin se rregullorja e posaçme e regjimit uniformon çdo të burgosur ndaj dhe ankimimi i tyre në gjykatë bëhet i pamundur. Si e vetmja zgjidhje mbetet Avokati i Popullit dhe aksesi në mbrojtësit e tyre ligjorë për kërkesat e tyre. Kjo e drejtë nuk duhet mohuar në çdo rast. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos