
Sot u vendos çmimi i energjisë për familjet që tejkalojnë limitin e 800 mgw/h. Por a është e justifikueshme rritja e çmimeve dhe vendosja e fashës?
Sipas ekspertit për Ekonominë, Pano Soko, “konsumatori duhet të jetë zgjedhja e fundit për të rregulluar anomalitë e shkaktuara nga krizat. Por këtu duket sikur qeveria shqiptare e ka shumë të lehtë të shkoj të xhepat e konsumatorit, dhe shumë më vështirë të shihet se çfarë mund të rregullohet në sistem. Lexova relacionin, thuhet se shifra e rekuperueshme për shkak të rivendosjes se fashës do të jetë rreth 1.5 miliardë lekë. Për këto para, nuk kishte opsione të tjera? Të merreshin bilancet e kompanive, të shihet se ku mund të kursehet, se nuk janë problem 12 milionë dollarë në kompani që kanë një fluks qindra milionë dollarësh”.
Kjo, sipas tij, ka një qasje politike. “Mesazhi është që jemi në luftë, po përballemi me armikun e padukshëm, pasi fituam ndaj pandemisë etj”, thotë ai në A2 Business.
“Këto familje që preken mund të mos jenë në vështirësi ekonomike, por preket klasa e mesme që është motori i ekonomisë, pse të goditen ato?”, shton Pano.
Ndërkohë, eksperti tjetër i ftuar, Bardhi Sejdarasi, ka një tjetër shqetësim. “Shqetësimi i vetëm i imi është që buxhetit të shtetit po i ikin nga tetori i kaluar rreth 1 miliard euro, mbështetje buxhetore për t’u përballur me rritjen e çmimeve në tregun ndërkombëtar, të cilat mund të përdoreshin për infrastrukturë, shkolla etj”, thotë ai. (A2 Televizion)