
Nga Enver Robelli
Në vitin e largët 1965, anijendërtuesit nga qyteti i Pulës në Kroaci i dorëzuan shkrimtarit Joža Horvat një anije, të cilën ai e pagëzoi me një emër shqip - “Besa”. Emri ishte edhe përbetim se Horvat dhe ekuipazhi katëranëtarësh do t’ia dilnin t’i silleshin botës me anijen e tyre modeste, 15 metra të gjatë. Siç shkruan gazeta kroate Novi List, anija “Besa” u bë sinonim i zbulimit të kulturave të tjera dhe i ballafaqimit me rreziqe në det të hapur. Një aventurë të tillë, në Jugosllavinë e atëhershme, nuk e kishte rrezikuar askush.
Sipas një legjende, shumë miq të Horvatit i kishin thënë se nuk do të kishte kurrë sukses të lundronte botën me anije. Thuhet se Horvat u përgjigj duke thënë se po ua jepte fjalën shqiptare të nderit - pra, besën - se do t’i sillej rreth e rrotull botës.

Horvat ishte skenarist i filmit “Ciguli Miguli”, i cili u kritikua nga Lidhja e Komunistëve të Kroacisë për shkak të gjoja opozitarizmit antisocialist. Gjatë lundrimit, Horvat mbajti ditar dhe botoi tekste në gazetën Vjesnik u Srijedu (VUS). Këto tekste Horvat i zgjeroi dhe botoi në dy vëllime: ditarët mbajnë titullin “Besa 1” dhe “Besa 2”.
Gazeta Vjesnik e mbështeti udhëtimin e tij me 1500 dollarë, ndërsa diaspora kroate me 500 dollarë. Gjatë lundrimit, Horvat dhe shoqëruesit e tij u përballën me probleme të ndryshme - prej shtrëngatave deri te tensionet politike. Kanalin e Suezit e kaluan pak ditë para se të shpërthente lufta e tretë mes arabëve dhe Izraelit. Kanali i Suezit qëndroi i mbyllur deri më 1975.

Pas dy vitesh lundrim nëpër botë, anija “Besa” më 4 korrik 1967 u shfaq në Gjirin e Kotorit në Mal të Zi, ku u prit nga politikanë lokalë të kohës dhe shumë qytetarë. Sipas ekspertëve kroatë të nautikës, anija “Besa” lundron ende dhe është e ankoruar në një port të vogël në Split. (A2 Televizion)
