
Nga Enver Robelli
227 ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump vendosi tarifa të larta doganore kundër Zvicrës (39 për qind për shumicën e produkteve), është arritur në parim një marrëveshje mes SHBA-ve dhe Zvicrës për uljen e tarifave doganore. Sipas dakordimit, tarifat do të bien nga 39 për qind në 15 për qind - aq sa paguan edhe Bashkimi Europian (BE). Për këtë marrëveshje Zvicra paguan një çmim të lartë: ndërmarrjet zvicerane premtojnë investime prej 200 miliardë dollarësh në SHBA deri në vitin 2028.
Sipas përfaqësuesit amerikan të tregtisë, Jamieson Greer, Zvicra "do të zhvendosë shumë kapacitete prodhimi në Shtetet e Bashkuara, përfshirë kompani farmaceutike, rafineri ari dhe pajisje hekurudhore". Zvicra do të ulë tarifat doganore për një sërë produktesh amerikane, për shembull për peshk dhe fruta deti. Zvicra u jep Shteteve të Bashkuara kuota pa taksa për disa produkte eksporti: për mishin e viçit vlen një sasi prej 500 tonësh, për mishin e bizonit 1000 tonë dhe për mishin e shpendëve 1500 tonë, njoftojnë mediat zvicerane. Kompani zvicerane janë zotuar gjithashtu të blejnë më shumë aeroplanë nga Boeing.
Ulja e normës doganore nga 39 në 15 për qind përbën një përmirësim të dukshëm të situatës për sektorët më të prekur, si industria e makinerive, instrumentet precize, industria e orëve dhe ajo ushqimore, shkruan gazeta "Tages Anzeiger" e Zürichut.
Me normën doganore prej 39 për qind, sipas vlerësimeve të institutit zviceran për analiza ekonomike KOF, nga 7500 deri në 15'000 vende pune me kohë të plotë në Zvicër do të kishin qenë të rrezikuara. Ky skenar tani është përjashtuar.
Pasi Trump kishte vendosur tarifat shokuese doganore, presidentja e Zvicrës dhe njëkohësisht ministre e financave, Karin Keller-Sutter, u përpoq të gjente një zgjidhje. Ajo kishte ngjallur shpresa të mëdha duke thënë paraprakisht se ka krijuar një qasje direkte te Trumpi. Kjo doli e pasaktë. Një bisedë telefonike mes Trumpit dhe Keller-Sutter përfundoi si një katastrofë komunikimi. Ndërsa zvicerania përpiqej t'ia shpjegonte në detaje rëndësinë e produkteve zvicerane për SHBA-të, Trump duket se humbi durimin dhe ekipi i tij ia bëri të qartë këshilltarëve të presidentes zvicerane se biseda telefonike duhej të merrte fund. Pastaj Trump tha se kishte folur me "kryeministren e Zvicrës, një grua e sjellshme, e cila nuk donte të dëgjonte". Zvicra nuk ka kryeministre, por një qeveri që kolektivisht e udhëheq vendin. Këso detajesh me gjasë nuk janë të rëndësishme për presidentin aktual amerikan.
Ndonëse në nivele të ndryshme zhvilloheshin kontakte mes politikanëve zviceranë dhe qeverisë amerikane, konflikti mori kahjen e zgjidhjes tek pasi para disa ditësh një grup biznesmenësh zviceranë apo me seli në Zvicër shkuan në Shtëpinë e Bardhë, takuan Trumpin, i dhuruan një orë Rolex dhe shufra ari dhe i bënë edhe premtime të tjera.
Injorimi i qeverisë zvicerane nga Trumpi dhe arritja e marrëveshjes nëpërmjet biznesmenëve ka ngjallur komente dhe debate të ndryshme në Zvicër, edhe kritike. Në një koment, gazeta "Tages Anzeiger" shkruan: "Po, audienca (e biznesmenëve te Trumpi) i vuri sërish në lëvizje negociatat. Në këtë kuptim, ajo ishte një sukses. Njëkohësisht, ajo tregon përçmimin e presidentit amerikan ndaj legjitimitetit politik. Keller-Sutter dhe (ministri i ekonomisë Guy) Parmelin nuk arritën të hyjnë në Zyrën Ovale. Trump preferoi të ftonte burra të pasur sa vetë ai - për të shkëmbyer disa fjalë të këndshme, për të marrë dhurata të arta dhe pastaj për të rrotulluar bujarisht vidën e doganave. Një sjellje të tillë nuk mund ta miratojë asnjë demokrat.
Si duhet vlerësuar fakti që qeveria zvicerane lejoi të ndodhte kjo? Mund të argumentohet se qeveria ia la me takt vendin sektorit privat. Gjithçka për rezultatin e duhur. Por fakt është se nuk kishte asnjë opsion tjetër të vlefshëm. Qeveria u margjinalizua, në një situatë ku Zvicra qëndronte e vetme përballë një kundërshtari shumë më të fuqishëm. Kjo minon besimin në forcën e politikës së jashtme të qeverisë". (A2 Televizion)
