Kryeministri Edi Rama ka reaguar në Twitter pas lajmit të publikuar një ditë më parë në televizionin shtetëror italian RAI 3, ku thuhej se kultivimi i kanabisit është rritur me 1200%.
“Lajmi i mbrëmshëm në RAI 3 mbi gjoja 12-fishimin e kultivimit te kanabisit në Shqipëri është një turp gazetaresk, pa asnjë lidhje me realitetin e monitoruar dhe certifikuar nga vetë Guardia di Finanza! Uroj që partnerët tanë të shkëlqyer ta thonë vetë pa humbur kohë të vërtetën!”, shkruan Rama.
Sipas një raporti të publikuar nga televizioni Rai 3 kultivimi i kanabisit në Shqipëri këtë vit është rritur ndjeshëm. Media italiane i referohet fotove të siguruara nga policia gjatë një aksioni kontrolli me helikopter, ku shfaqen parcela të mbjella me bime narkotike në zona malore.
Referuar këtij raporti të policisë theksohet se krahasuar me një vit më parë, kultivimi i kanabisit është rritur me 1200%. Ndryshe nga sa u deklarua nga policia shqiptare në vitin 2014, për eliminimin të çdo parcele, realiteti flet ndryshe theksohet në materialin e publikuar nga Rai3.
Madje theksohet se fara e kanabisit është siguruar nga Vietnami, por duke u përshtatur gjenetikisht për të pasur një rezultat të lartë prodhimi. Prokurori i Lecce, Giaccomo Cataldi thotë se mafia shqiptare po fuqizohet gjithnjë e më shumë dhe po dominon në trafikun e kokainës në rajon. (A2 Televizion)