
Pas polemikave të shkaktuara pas vdekjes së Sahar Khodayari, tifoze e futbollit iranian, e cila i vuri zjarrin vetes pranë një stadiumi, pasi nuk e lejua të hynte brenda, autoritetet në Teheran ndryshojnë kurs.
Ministri i Sportit, Masoud Soltanifar deklaroi se janë bërë të gjitha parapërgatitjet e nevojshme që gratë të marrin pjesë fillimisht në ndeshjet ndërkombëtare që do të luajë kombëtarja iraniane e futbollit.
Takimi i parë kur femrat iraniane do të marrin pjesë në stadium do të jetë ai i datës 10 tetor kur Irani do të luajë përballë Kamboxhias në një ndeshje të vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2022 që do të zhvillohet në Katar. Në impiantin ku do të luhet ndeshja janë bërë gati hyrjet, hapësirat dhe tualetet e ndara për burrat dhe gratë.
Ndalimi i pranisë së grave në stadiume në Iran hyri në fuqi pas Revolucionit Islamik të vitit 1979. (A2 Televizion)