
Parlamenti Europian kërkon nisjen e një hetimi të brendshëm për Komisionerin për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e mirë, Oliver Varhely, për shkak të raporteve se ai ka "ndërhyrë për të anashkaluar shkeljen e vlerave demokratike dhe sundimit të ligjit në disa vende që janë në proces anëtarësimi".
Në tekstin e rezolutes për politikë të jashtme dhe sigurinë të Bashkimit Europian, që u votua të mërkurën, fillimisht, nga komisioni për punët e jashtme e më pas nga europaramentarët thuhet:
Parlamenti Evropian mbetet thellësisht i shqetësuar për raportet se Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, me qëllim bën përpjekje që të anashkalohet dhe ulet rëndësia qendrore e reformave demokratike dhe sundimi i ligjit në vendet që janë në proces të anëtarësimit.
Rezoluta e miratuar të mërkurën ka në fokus forcimin e rolit të BE-së në botë dhe reagimin në rrethanat e reja ndërkombëtare, pas luftës ruse në Ukrainë. Në disa pjesë të tekstit përmendet rajoni i Ballkanit Perëndimor, ku kërkohet që BE-ja të përshpejtojë procesin e zgjerimit, si me vendet kandidate, ashtu edhe me kandidatët potencialë.
Bëhet gjithashtu thirrje që të hiqen sa më parë vizat për qytetarët e Kosovës dhe përshëndetet nisja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Sa i përket Serbisë thuhet se vazhdimi i negociatave të anëtarësimit do të bëhet vetëm pasi ky shtet të jetë në linjë të njëjtë me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.
Parlamenti Evropian nënvizon se të gjitha vendet që duan të bashkohen me BE-në duhet në tërësi të përshtaten me vlerat themelore dhe politikat e përbashkëta lidhur me agresionin e paligjshëmtë Rusisë ndaj Ukrainës.
Në disa pjesë të tekstit përmendet ndikimi negativ i Rusisë në rajonin e Ballkanit, me synim të destabilizimit të rajonit, dhe bëhet thirrje që të parandalohet ky ndikim. (A2 Televizion)