Komisioni i Integrimit po kalon një rezolutë pak ditë para se Këshilli Europian të vendosë për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Gjatë ditës, ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka dorëzuar disa amendamente, të cilat u diskutuan me dyer të mbyllura.
Së pari, Bushati i kërkon Kuvendit të ndryshojë emrin e rezolutës, nga “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit në BE”, në “Për mbështetjen e procesit të fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në BE”. Sipas Bushatit, ky ndryshim duhet të bëhet pasi Shqipëria “nuk ka tagër vendimmarrës për fillimin e bisedimeve”.
Bushati gjithashtu kërkon që në rezolutë të shtohet angazhimi i Kuvendit për përfundimin e Reformës Zgjedhore brenda këtij viti, si një zotim për përmbushjen e një prej kushteve që duhen për të marrë miratimin e vendeve anëtare të Bashkimit Europian për çeljen e negociatave.
Sipas burimeve të A2, pothuajse të gjitha do të reflektohen në draftin final që do t’i dërgohet Kuvendit për votim. Komisioni do të ketë një tjetër mbledhje të mërkurën për finalizimin e projektrezolutës. Pasi të miratohet, ajo do t’i dërgohet vendeve anëtare të Bashkimit Europian para vendimit për nisjen ose jo të negociatave në mesin e këtij muaji. (A2 Televizion)