
Risjellja e premtimeve të vjetra në fushatën elektorale po kthehet në një trend. Pasi riktheu premtimin për ujë dhe drita 24 orë, kryeministri Rama përmendi në Belsh amnistinë fiskale për emigrantët, që mund të sjellin paratë e tyre nga jashtë, ndonëse e tentoi këtë edhe një vit më parë, por u detyrua ta anashkalojë mes kundërshtive nga FMN dhe Bashkimi Europian.
Për juristin Adriatik Lapaj ky premtim nuk është asgjë më shumë se sa një premtim për efekt elektoral
“Në aspektin praktik është e pamundur në gjykimin tim modest. Sepse ligji shqiptar ka fuqi vetëm në ato juridiksione ku ka fuqi shteti shqiptar. Emigrantët do i sjellin paratë në Atdhe në mënyrë ilegale dhe kjo përbën vepër penale”, u shpreh Lapaj.
Jo vetëm mazhoranca, por edhe opozita iu rikthye një premtimi të vjetër. Kryedemokrati Basha nga Baldushku foli për referendum mbi një ndarje të re territoriale. Por sipas Afrim Krasniqit është Kushtetuta ajo që e bën të pamundur një premtim të tillë.
“Koncepti i referendumit rajonal është rrëzuar dhe është cilësuar si i papranueshëm. Në kushtet ku mungon ligji i referendumeve dhe nuk mundet që një njeri i caktuar të votojë të bashkohet ose jo me një njësi tjetër pasi kjo është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese”, tha Afrim Krasniqi.
Në të njëjtën linjë është edhe Adriatik Lapaj .
“Qytetarët nuk kanë një ligj të mirëfilltë për referendumet ka një kapitull tek Kodi Zgjedhor i vitit 2003 që përcaktojnë ca rregulla. Ne na nevojitet një ligj për referendumet”, shtoi Lapaj.
Por përse partitë politikë bëjnë premtime të tilla, duke e ditur se kanë pak gjasa t’i realizojnë ato?
“Palët kanë nevojë për vota për çdo grup social. Për shkak se hasin pengesa për të mbledhur vota, janë të detyruar që të bëjnë premtime afatshkurtra që nuk janë të shkruara. Për sa kohë nuk ka program shumica e premtimeve janë të tilla që janë të parealizueshme”, përfundoi Krasniqi.
Një tjetër arsye, sipas Krasniqit, është mungesa e alternativeve pasi partitë, retorikat dhe programet janë shumë të ngjashme. (A2 Televizion)