Të gjitha aktivitetet që u lejuan të fillojnë punë këtë javë përfshihen në degën “Tregti, transport, aktivitetet e akomodimit dhe shërbimeve”, që sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, jep një kontribut prej 17,39% në Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar.

Aktualisht, për shkak të situatës me koronavirusin dhe kufizimit të lëvizjeve, janë të mbyllura edhe degë të tjera si “Aktivitete të pasurive të paluajtshme”, me ndikim 5,9% në GDP; aktivitete shkencore, profesionale me ndikim 6,6% në prodhimin e përgjithshëm bruto; arte, argëtim, çlodhje me një peshë në ekonomi prej 2,7%.

Masat për frenimin e përhapjes së COVID-19 çuan në mbylljen thuajse tërësore të gjysmës së bizneseve. Si rrjedhim, pritet që ekonomia jonë të pësojë një goditje të fortë.
Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon një recension prej 5% këtë vit, ndërsa qeveria ende nuk e ka bërë publik parashikimin e ri të rritjes, ndërkohë që shifra e fundit e publikuar prej saj është tejet optimiste dhe flet për një rritje prej 2%. (A2 Televizion)