Ringjallja e Luftëtarit

Nga A2 CNN
10 Prill 2021, 13:42 | Futboll
Ringjallja e Luftëtarit

Korrik 2018. Luftëtari regjistroi një prej arritjeve më të rëndësishme në histori, duke debutuar në arenën ndërkombëtare. Gjirokastritët luajtën për herë të parë në Europa League. Ky ishte kurorëzimi i ecurisë fantastike prej vitit 2015. Një skuadër që u rikthye në elitën e futbollit shqiptar, duke bërë diferencën me lojë dhe rezultate. Por, ëndrra u kthye në makth. Humbja 5-0 në Letoni me Ventspils dhe barazimi 3-3 në Elbasan Arena. Borxhet e akumuluara, pagesat e pashlyera ndaj të huajve dhe përfshirja e klubit në listën e zezë të UEFA-s rezultuan fatale. Prej atij momenti, gjithçka e mirë u zhbë.

“80 për qind e skuadrave kanë pasur detyrime ndaj lojtarëve, stafeve, apo borxheve në FIFA. Edhe Luftëtari është pjesë e tyre. Në dy merkato nuk kam qenë pjesë e klubit, por nëse do të isha do të kishim shmangur shumë humbje. Fillimisht me stafin dhe lojtarët uruguaianë që u larguan pas pesë javësh. Më tej kjo histori vijoi me stafin slloven. Edhe ata u larguan duke e lënë ekipin në vendin e fundit, por i fituan gjyqet”, thotë për A2 Gentian Nora, ish-drejtor sportiv i klubit.

“Futbolli gjithmonë është i bukur dhe me surpriza. Për fat të keq i ndodhi Luftëtarit, na ra barra e rëndë ta ngremë nga zero. Me punë shpresojmë ta çojmë Luftëtarin aty ku i takon.

Nga vetë emërtimi, Akademia e Futbollit Luftëtari, kemi menduar që të mos bëjmë më gabimet e së kaluarës. Plani është 5-vjeçar, për një Luftëtar që do jetë aty ku e keni lënë ju në kupat e Europës”, thotë trajneri i skuadrës, Dritan Kristidhi.

Luftëtari i tanishëm ekziston vetëm falë këmbënguljes së tifozëve dhe dashurisë për futbollin në Gjirokastër. Në një situatë surreale, i fortë është ai që arrin të ngrihet edhe përballë vështirësive më të mëdha. “Shumë klube nuk e kanë pasur fatin e Luftëtarit. Me nxitjen e tifozëve dhe ndihmën e bashkisë është krijuar një skuadër e re”, thotë Nora.

Si është për një skuadër afërsisht një shekullore, të luajë mes amatorëve? “Edhe për vete hera e parë, nuk di si ta shpreh. Është si të biesh nga qielli në tokë, por të mbetesh në këmbë. Ta fillosh na fillimi. Na gëzon krijimi i klubit të futbollit të Luftëtarit dhe që kemi lojtarë gjirokastritë. Lojtarë që janë pasardhësit e legjendave gjirokastritë... Kjo ringritje e Luftëtarit, filloi me golat e Shefqet Bonit, djalit të ish-legjendës Astrit Boni. Gjithashtu keminë skuadër nipin e legjendës Bellai, shpresojmë që të rrisim brezat e rinj me mentalitetin e idhullit brenda familjes së Luftëtari:”, thotë Kristidhi.

Kriza e Luftëtarit ka rikthyer në skenë edhe mbiemra të mëdhenjtë futbollit, jo vetëm në Gjirokastër. Një prej liderëve të ekipit aktual është Aristoteli, nipi i ish-lojtarit të Kombëtares, Arjan Bellaj. “Çfarë mund të bësh si xhaxhai yt? Shpresoj ti ngjaj sa më shumë xhaxhait, nuk e kam parë të luajë, por më kanë thënë që ishte një lojtar shumë i mirë. Këshilla? Më ka thënë të marr seriozisht çdo stërvitje dhe çdo ndeshje, rezultati do vijë hap pas hapi”, thotë futbollisti Aristotel Bellaj.

Nëse në vitet e kaluara të gjithë ëndërronin të ishin pjesë e Luftëtarit, por duhej të ishin futbollistë cilësorë dhe me perspektivë, kriteret e tanishme janë të thjeshta. Mjafton të jesh në moshë të re dhe me origjinë nga Gjirokastra. Të rinjtë janë baza e projektit. “Luftëtarin e lashë shumë mirë përpara pesë vitesh kur ika. Pas kupave të Europës, tani situata ka ndryshuar. Do të punojmë ta rikthejmë këtë fanellë”, thotë kapiteni Eldar Batha.

“Ndjesia është shumë e madhe për mua, besoj që me këtë grup mund ta ngremë ekipin lart nga zero. Kështu si ka nisur besoj që do të shkojë shumë mirë, jemi një grup lojtarësh që kemi luajtur nga moshat. Besoj që do të ngjitemi shumë lart”, Bellaj.

Diferencat më të kaluarën janë të mëdha. Sfidat gjithashtu. Por, optimizmi dhe dëshira nuk mungojnë. Bellaj është 27 vjeç dhe veteran i kësaj skuadre. “Më bie rëndë. Kur ika para pesë vjetësh isha më i riu, tani që u ktheva jam më i madh. Kemi ekip të rinj, që ka mundësi të rritet. Mendoj se do të ecë. Çfarë ka ndryshuar nga ai Luftëtar? Drejtuesit janë të tjerë, klubi është i bashkisë. Lojtarët përveç njërit janë të rinj. Jemi kthyer të gjithë, që ta ngjisim ekipin dhe do të japim sa mundësi kemi”.

Gentian Nora, magjistari që ndërtoi skuadrën e mahnitshme, ka besim te puna që do të bëhet. “Nga kategoria e tretë, e cila përkon me nivelin e katërt të futbollit në Shqipëri, Luftëtari është ringjallur. Puna për ta rikthyer ekipin në vendin që i takon ka nisur”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos