Ringritja e Kushtetueses, KED "shuan" 4 kandidatë. KLP nxit prokurorët për aplikim

Nga A2 CNN
6 Tetor 2020, 20:59 | Aktualitet
Ringritja e Kushtetueses, KED "shuan" 4 kandidatë. KLP nxit

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) i dha karton të kuq katër prej gjashtë kandidatëve që synonin një vend në Gjykatën Kushtetuese. Ata kishin aplikuar për vendin e mbetur lirë në Kushtetuese pas shkarkimit nga vetting-u të gjyqtarit Besnik Muçi.

Pas një mbledhjeje që nisi në orën 13:00 të së hënës dhe përfundoi pas mesnate, KED vlerësoi të ndalonte kandidimin e Sergjio Mazrekut, Sinan Tafajt, Shaqir Hasanajt dhe Zhaklina Petit. Sipas anëtarëve të Këshillit, ata nuk plotësonin një apo disa nga kushtet ligjore të nevojshme për kandidim në Kushtetuese. Ndërsa për dy kandidatët e tjerë, Sonila Bejtja dhe Eugen Papandile, KED do të vendosë për ta në mbledhjen e radhës, e caktuar për t’u zhvilluar këtë të premte.

Ky është vetëm filtri i parë i kandidatëve për në Kushtetuese. Në rast të lejimit të kandidimit, ata i nënshtrohen filtrimit të pasurisë, figurës dhe profesionalizmit, intervistimit dhe pikëzimit. Në mbledhjet e kaluara, KED ka skualifikuar 2 kandidatë të tjerë për të njëjtin vend të lirë, ndërsa i ka dhënë dritë jeshile vetëm kandidati Altin Binaj.

Aktualisht, Gjykata Kushtetuese ka vetëm 4 anëtarë nga 9 që duhet të ketë në kushte normale, ndërkohë që një prej tyre, Vitore Tusha është në detyrë përtej mandatit të saj kushtetues.

Për shkak të nevojës së plotësimit me gjyqtarë dhe rikthimit në funksion të Gjykatës Kushtetuese, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) doli me një deklaratë ku fton prokurorët që kanë kaluar vetting-un të aplikojnë për dy vakanca në Kushtetuese të shpallura nga Presidenti dhe Kuvendi. Përmes deklaratës, anëtarët e KLP garantojnë prokurorët se, sipas ligjit, nëse zgjidhen dhe ushtrojnë funksionin e gjyqtarit në Kushtetuese, në përfundim të mandatit Këshilli i riemëron ata në sistem në një pozicion karriere.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos