Rishikimi i buxhetit, PD: Fondet, të pamjaftueshme për luftën ndaj koronavirusit

Nga A2 CNN
22 Mars 2020, 19:14 | Aktualitet
Rishikimi i buxhetit, PD: Fondet, të pamjaftueshme për luftën

Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë për mungesë transparence sa i përket fondeve të rishikuara në buxhet për përballimin e situatës nga Covid-19.

Ish-deputetja Jorida Tabaku, përmes një reagimi në rrjetet sociale tha se Akti Normativ i publikuar është i pamjaftueshëm në shumën e parave që ofron për këtë situatë. Sipas saj, akti nuk saktëson se kush dhe në çfarë forme do të merren ato pak para të alokuara për qytetarët dhe bizneset.

Ish-deputetja këmbëngul sërish se Shqipërisë do t’i mjaftonin 120 milionë euro për fazën e parë të përballimit të kësaj krize, para që, sipas Tabakut, gjenden në buxhet në zërin e PPP-ve.

Po për mungesë transparence demokratët drejtojnë akuza ndaj qeverisë edhe për marrjen e një vendimi të vonuar për blerjen e pajisjeve mjekësore për bluzat e bardha, duke vënë në rrezik jetën e tyre dhe u bë shkak për infektimin e 9 mjekëve nga virusi Covid-19.

Pas publikimit të vendimit në Fletoren Zyrtare për të blerë 2,5 milionë euro pajisje mbrojtëse për mjekët, ish-deputeti Bardh Spahia tha se qeveria pranoi blerjen e tyre me një muaj vonesë, përmes një kontrate sekrete. Ish-deputeti i kërkon qeverisë të blejë pa humbur kohë testet dhe materialet testuese për qytetarët.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos