
Me vrasjen e gjeneralit iranian Qassem Soleimani, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump rrezikon të nxisë dhune te pakontrolluar në rajon, mendon Rainer Sollich.
Eksperti i çështjeve të sigurisë thotë për “Deutsche Welle” se situata është mjaft e rrezikshme. Betimet për hakmarrje të regjimit të Teheranit dhe aleatëve të tij tashmë janë artikuluar, aksionet e dhunës janë të pritshme dhe situata shumë shpejt mund të dalë jashtë kontrollit. Analisti mendon se aleatët e SHBA-së si Izraeli dhe Arabia Saudite, por edhe Libani dhe Iraku do të ndjejnë pasoja të rënda.
“Mund të ketë sulme të përgjakshme ndaj personave, shesheve apo institucioneve e deri tek sulmet ndaj cisternave apo linjave gaz e naftësjellëse. Nuk përjashtohen as sulme me predha ndaj aleatëve të Uashingtonit, sepse Teherani vrasjen e Soleimanit mund ta konsiderojë si poshtërim dhe shpallje faktike të luftës”.
Rreziku i një tjetër lufte në lindjen e mesme përmendet edhe nga kandidatët demokratë për presidencën në SHBA, sipas të cilëve vendimi i Trump kishte qenë i papërgjegjshëm.
“Është një përshkallëzim i rrezikshëm që na çon më pranë një tjetër lufte katastrofike në lindjen e mesme, e cila do ketë kosto të mëdha në jetë njerëzore dhe mjete financiare”, Bernie Sanders, Senator amerikan i Vermontit.
“Bëhet fjalë për një përshkallëzim të rëndë të situatës”, shprehet Joe Biden.
Sulmi u dënua nga një sërë vendesh në Lindjen e Mesme përfshirë Sirinë, Libanin dhe Turqinë, të cilat folën për shkelje të sovranitetit të Irakut dhe përshkallëzim të rrezikshëm të situatës në rajon. Izraeli ndërkaq, është në gjendje alarmi dhe ka vënë ushtrinë në gatishmëri mes frikës se do të bëhet shënjestër e hakmarrjes së Iranit. (A2 Televizion)