
Kurba e pandemisë ka qenë kryefjalë për çdo vend të prekur nga Covid-19. Jo vetëm për Shqipërinë, duke dëgjuar gjithë vëmendje fjalën e ekspertizës për të pasur idenë e një piku të kaluar, ose një kurbë pa shumë lëvizje që mund të fliste për një skenar relativisht të qetë, mundësi e artë për tejkalimin e pandemisë. Por, kurba në Shqipëri ishte ajo që u diskutua më së shumti për lakoren që mori, duke e lënë ekspertizën pa fjalë nëse kishte apo jo një kulm.
Klodiana Spahiu, mjeke në profesion, deputete e Partisë Socialiste, zëvendëskryetare e Komisionit të Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, foli në Ditarin e orës 09:00 në A2 për këtë temë.
“Numri i rasteve të ndryshueshme ishte i pritshëm pas masave të reja. Kemi pasur hapje të bizneseve dhe padyshim që kontaktet mes njerëzve do të ishin më të shumta. Duhet të jemi optimist pasi ne jemi në zbritje të kurbës, e cila fatmirësisht ka një formë jo me majë. Ky ishte një rezultat shumë pozitiv. Rastet e reja, 17 një ditë më parë, nuk janë shumë të rëndësishme për formën e kurbës, pasi ne i kemi kaluar tashmë momentet më të vështira të kësaj pandemie. Unë shpresoj shumë që edhe numri i rasteve të shtruar në spital të vazhdojë të jetë në rënie. Duhet të kemi parasysh edhe numri i rasteve të shëruar”.
Kur ka kaluar piku?
“Besoj se faza më e vështirë ka qenë në ato momente, kur edhe nga urgjenca janë konfirmuar një numër thirrjesh mbi 8 mijë, para 3 javësh. Ka pasur një numër më të lartë të rasteve të konfirmuara. Me të vërtetë kjo kurbë nuk ishte me majë, por ka pasur një kulm të saj, një numër maksimal të rasteve dhe një numër maksimal të pacientëve të drejtuar në spital. Nuk besoj se është fshehur gjë dhe nuk besoj se ne nuk e kemi kuptuar kur ka qenë piku.
Faza e hapjes
“Kjo është një fazë shumë e rëndësishme. Kemi pasur 7 javë në izolim dhe pjesa më e madhe e të sëmurëve kronikë kanë preferuar të mos shkojnë në spital. Tashmë fillon një hap i dytë edhe për sistemin shëndetësor. Të gjitha masat po merren që të përballohet me sukses kjo fazë me të sëmurët kronikë. Ka lindur nevoja për përforcimin e sistemit parësor”. (A2 Televizion)