
Orë frenetike te Barcelona. Joan Laporta është në kërkim të vrullshëm të fondeve, për t’u emëruar zyrtarisht president i Barcelonës. Për të drejtuar zyrën më të rëndësishme në “Camp Nou”, kandidati fitues i zgjedhjeve duhet t’i garantojë klubit 125 milionë euro, përpara se të nisë nga puna.
Pasi fitoi shumicën e votave nga tifozët, Laporta trokiti në dyert e shumë institucioneve financiare, duke pretenduar që të plotësonte shifrën e nevojshme. Por tentativat e tij të deritanishme nuk kanë rezultuar të suksesshme, pasi deri më tani janë siguruar vetëm 50 milionë euro.
Laporta ka vetëm pak orë kohë që të plotësojë diferencën e fondit. Sipas rregullores së klubit, të mërkurën është afati i fundit për garantimin e shifrës, me të cilën 58-vjeçari do të marrë drejtimin e Barcelonës.
Nëse afati nuk do të respektohet, atëherë “blaugranat” do të detyrohen të organizojë sërish zgjedhjet për drejtuesin më të lartë. Në klub ishte gjithçka gati për ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri, por vonesat në sigurimin e fondeve për garancinë financiare nga Laporta, e kanë komplikuar çështjen.
Edhe pse koha është e shkurtër, burime pranë drejtuesit të ri në “Camp Nou” kanë shprehur besim se ngërçi financiar do të zgjidhet përpara se afati të përfundojë. (A2 Televizion)