Politologu Adri Nurellari tha se studentët ndihen të mashtruar nga premtimet e pambajtura të qeverisë, duke iu referuar Paktit për Universitetin, të prezantuar nga kryeministri Edi Rama vite më parë.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Nurellari tha se shumë prej angazhimeve të marra pas protestave studentore nuk janë realizuar, duke sjellë një krizë të thellë besimi.
Sipas tij, një prej premtimeve kryesore ishte rritja e buxhetit për arsimin në 5% të PBB-së, por shpenzimet, sipas të dhënave që ai referoi, kanë mbetur në 2.6%.
Nurellari përmendi gjithashtu mosrealizimin e premtimeve për rritjen e peshës së votës së studentëve në vendimmarrjen universitare, rishikimin e plagjiaturës, kartën e studentit dhe ndërtimin e kampusit të premtuar.
“Pata mundësi të shkoj dhe ta kontrollon Paktin e Universitetit. Studentët e hëngrën një herë karremin e dialogut me kryeministrin. Kryeministri e mbushi një pirg të madh me premtime të cilat s’janë të realizuara. Kjo është një krizë e madhe e besimit. Në rastin e Paktit për Universitetit ka pasur shumë premtime që s’janë realizuar. Një ka qenë rritja e buxhetit për arsimin në 5 për qind. Viti i fundit ka qenë 2,6 për qind, ndërkohë që BE ka qenë 4,6 për qind, që i bie mashtrim.
Tjetër ka qenë ndryshimi i votës së studentëve në 50 për qind, që të kishin më shumë peshë vendimmarrje brenda universitetit. Përkundrazi, jo vetëm atyre u ngeli 10 për qind, por me bordet universitare, edhe akademikëve iu eklipsua pesha. E njëjta gjë për titujt akademikë, rishikimin e plagjiaturës, kartën e studentit, kampusin e premtuar", tha Nurellari.
"Shqipëria çalon shumë në arsim. Bujqësia ka rënë -2,5 për qind, industria ka rënë 3,7 për qind dhe eksportet 7,2 për qind, këto të dhëna zyrtare”, shtoi politologu. (A2 Televizion)