“A duhet të shkojë qytetari t’i lutet deputetit?!”, Nurellari debat me Milan: Ky është falimentim i shtetit të së drejtës

Nga A2 CNN
21 Tetor 2026, 21:33 | Politikë

Një debat mes politologut Adri Nurellari dhe deputetes socialiste Sara Mila është zhvilluar në lidhje me rolin e deputetëve në zgjidhjen e problematikave të qytetarëve dhe raportin e tyre me institucionet shtetërore.

Gjatë replikave në emisionin "Off the Record" nga Andrea Danglli në A2CNN, Mila argumentoi se qytetarët u drejtohen deputetëve për të përcjellë shqetësimet e tyre dhe se kjo nuk përbën problem, edhe kur ata nuk kanë lidhje me partinë. 

Nga ana tjetër, Nurellari e cilësoi këtë praktikë si tregues të dobësimit të institucioneve dhe falimentim të shtetit të së drejtës.

 

DEBATI

Mila: Ka qytetarë që na referohen ne përpara se t’u referohen institucioneve dhe s’besoj se ka një problematikë këtu.

Nurellari: Kjo është dëshmia e falimentimit të shtetit të së drejtës dhe të institucioneve. Ky është një moment ku ty të zëvendësohet totalisht administrata, qoftë lokale, qoftë ajo qendrore, anashkalohen dhe shkon direkt te partia.

Mila: Jo këtë s’mund ta thuash, sepse aty vijnë qytetarë që s’kanë lidhje hiç me partinë.

Nurellari: Absolutisht, sepse pa parti nuk mbarojnë dot shërbimet bazike, dhe ju kështu krijoni varësi dhe njerëzit i bëni të jenë të varur ndaj partisë. Vetëm duke i treguar besnikëri partisë mund të marrësh atë që të takon me ligj.

Mila: Je duke spekuluar.

Nurellari: Ky është realiteti. Institucionet janë inekzistente. Administrata është disfunksionalizuar dhe pushteti lokal është i padobishëm. I vetmi që bën derman është besniku i partisë! Fakti që duhet të detyrohet qytetari, që atë që i takon me ligj, t’i lypet dhe t’i kërkojë mëshirë deputetit të partisë-shtet, është dorëzim, falimentim i shtetit të së drejtës dhe institucioneve.

Mila: Për çfarë është deputeti, nëse nuk është afër shqetësimeve dhe halleve.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos