
Lideri opozitar rus, i burgosur tashmë që prej vitit 2021, Alexei Navalny, përballet në gjyq, me akuza të reja për ekstremizëm, që rrezikohet ta dënojnë atë për dekada me radhë.
Navalny aktualisht po vuan dënimin prej 9 vitesh, për shkelje të lirisë me kusht, për mashtrim dhe mospërfillje të gjykatës. Ai dhe mbështetësit e tij këmbëngulin se arrestimi dhe burgosja e tij në 2021, ishte e motivuar politikisht. Gjyqi me akuzat për ekstremizëm nisi, këtë të hënë, në një gjykatë penale.
Navalny përballet tashmë edhe me akuzat e reja të krijimit të një rrjeti që financon dhe realizon aktivitetin e grupeve ekstremiste. Për këto akuza të reja, ai rrezikon të dënohet mbi 30 vjet burg.
47-vjeçari Navalny u arrestua në vitin 2021, menjëherë pas kthimit nga Gjermania, atje ku u rekuperua pas një sulmi që tentoi ta helmojë, për të cilin akuzoi Kremlinin zyrtar.
Akuza ndaj Navalnyt është e përmbledhur, nga prokurorët rusë, në mbi 3 mijë e 800 faqe, me të cilat vetë ai është njohur nga qelitë e burgut. (A2 Televizion)