
Më shumë se 300 shtetas nga Pakistani kanë humbur jetën në tragjedinë me emigrantë që ndodhi pranë brigjeve të Greqisë javën e kaluar. Kështu raporton media prestigjioze, CNN, që shkruan se ky bilanc është konfirmuar nga kryetari i parlamentit pakistanez, por që ende duhet të konfirmohet edhe nga autoritetet helene.
Në bordin e anijes së peshkimit mendohet të kenë qenë 750 emigrantë, ndërsa vetëm 104 prej tyre janë shpëtuar nga rojet bregdetare greke. Përmbysja e mjetit lundrues ka ndodhur jo shumë larg brigjeve Helene në Pilos.
Televizioni shtetëror britanik ka marrë prova që vënë në dyshim rrëfimin e rojës bregdetare greke për mbytjen tragjike të anijes. Analiza e lëvizjes së anijeve të tjera në zonë sugjeron se peshkarexha e mbipopulluar nuk lëvizi për të paktën shtatë orë përpara se të përmbysej. Roja bregdetare thotë se anija ishte rrugës për në Itali dhe nuk kishte nevojë për shpëtim.
Organizata e Kombeve të Bashkuara njofton se deri në 500 persona janë shpallur të zhdukur, në atë që po kthehet në tragjedinë më të rëndë me emigrantë në detin Mesdhe. OKB-ja bën thirrje për një hetim mbi menaxhimin e katastrofës nga ana e Greqisë, mes pretendimeve se duhej vepruar më herët për të nisur një operacion të gjerë shpëtimi.
Megjithatë, qeveria e Athinës mban qëndrimin se emigrantët në bordin e anijes refuzuan ofertat e rojeve bregdetare për ndihmë duke thënë se nuk ishin në rrezik. Lidhur me tragjedinë, Pakistani ka shpallur një ditë zie kombëtare. (A2 Televizion)