Rreziku në rrugët e Korçës, tre aksidente, dy viktima dhe 5 të plagosur në tre ditë

Nga A2 CNN
15 Shtator 2022, 14:59 | Kronikë

Në tre ditë tre aksidente në rrugët nacionale të Korçës. Gjatë tre ditëve, aksidente me dy viktima dhe pesë të plagosur, gjë e cila në kaq pak ditë nuk kishte ndodhur më parë në akset nacionale të juglindjes së vendit.

Aksidenti i fundit me tre të plagosur ka ndodhur në aksin Korçës - Pogradec, ngjarje e cila ka ndodhur vetëm pak metra larg kryqëzimit të fshatit Gurishtë.

Sipas policisë një mjet tip furgon “sprinter” po vinte nga Pogradeci në drejtim të Korçës ndërkohë që një mjet “Volksvagen Polo” me targa greke ku udhëtonte nga Korça në drejtim të Pogradecit një çift bashkëshortësh me dy fëmijët e tyre.

Ka qenë drejtuesi i mjetit Wolksvagen ai që ka kryer një parakalim të gabuar në një vend me kurriz mbi sipërfaqen e rrugës, çka i kufizonte fushëpamjen.

Parakalim që ka sjellë edhe përplasjen, edhe në kushtet kur drejtuesi i fugonit të mallrave për të evituar goditjen është spostuar nga krahu i djathtë në të majtë të këtij aksi. Por as kjo lëvizje nuk ka shmangur dot përplasjen, duke sjellë plagosjen e bashkëshortes dhe dy fëmijëve. Policia në vendngjarje po heton shkaqet e aksidentit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos