Rreziku nga uji i boteve, asnjë institucion nuk kontrollon sigurinë e tij

Nga A2 CNN
16 Shtator 2019, 14:12 | Aktualitet
Rreziku nga uji i boteve, asnjë institucion nuk kontrollon sigurinë e

Thirrjet “Erdhi uji”, i dëgjojmë çdo ditë në lagjet e Tiranës. Disa bëjnë zgjimin herët në mëngjes, e të tjerë autobote e tregtojnë ujin në orare fikse. Të njohur me lëvizjet e tyre në zonë, banorët presin dhe mbushin ujin për nevojat e tyre. Por shumë nga qytetarët tregojnë se ujin e boteve e pinë pasi u thuhet se është marrë në burim.

Por, a e dini se ku furnizohen mjetet që shpërndajnë ujin në Tiranë? Botet e blejnë ujin me një çmim 200 lekë për metër kub, si produkt të pa trajtuar, ndërsa te banorët shitet me një çmim 20 lekë për 5 litra.

Filmimi i boteve që mbushen në pikën e caktuar nga ujësjellësi ka qenë jo i lehtë, madje edhe kur i pyesim drejtuesit e mjeteve, ata refuzojnë të tregojnë destinacionin e vërtetë të ujit. “E dërgojmë në Durrës, përdoret për ndërtim”, thotë një shofer i një autoboti.

Por uji i boteve që shkon në lagjet e ndryshme të kryeqytetit nuk është i pijshëm dhe asnjë institucion nuk kontrollon sigurinë e tij. Ujësjellësi i Tiranës vetëm e tregton dhe sipas drejtuesve të këtij institucioni, vetëm për bizneset e licencuara dhe si ujë jo te pijshëm. “Ujësjellësi nuk e ka kompetencën që të bëjë analizën për këtë ujë, sepse e bën këtë vetëm për ujin që futet në rrjetin tonë”, thotë Evis Gjebrea, nga Drejtoria e UKT. “Ujësjellësit është përgjegjës për të verifikuar dokumentacionin e boteve, sepse kanë dokumentacion vetëm për transport. Ky është uji i pa trajtuar dhe nuk është i pijshëm”.

Edhe Inspektorati Shëndetësor nuk ka kompetencë të verifikojë cilësinë e ujit që tregtohet nga botet por vetëm atë të rrjetit. “Banorët duhet të jenë të vëmendshëm, të mos joshen nga çmimi relativisht i ulët”, thotë Areti Beruka, Kryeinspektore e Shëndetësisë, Tiranë. “Nuk ka nevojë të konsumojnë ujë që mund t’u sjellë rreziqe”.

Kur ky biznes miliarda leke është jashtë çdo kontrolli, banorët duhet t’i marrin vetë masat për të shmangur ndonjë epidemi të mundshme, duke mos konsumuar ujin që tregtohet nga autobote. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos