Stuhia rrëzon shtyllat, dhjetëra fshatra në juglindje pa energji elektrike

Nga A2 CNN
28 Shkurt 2022, 09:46 | Aktualitet
Stuhia rrëzon shtyllat, dhjetëra fshatra në juglindje pa energji

Përkeqësimi i motit në fundjavën që lamë pas, ka shkaktuar probleme serioze sa i takon furnizimit me energji elektrike në qarkun e Korçës. Si pasojë e erërave të forta që përfshinë atë zonë, janë rrëzuar dy shtylla të tensionit të mesëm dhe atij të ulët përgjatë aksit nacional Korçë-Bilisht.

Kjo ka bërë që dhjetëra fshatrat e bashkive Korçë, Bilisht dhe Maliq, kanë mbetur pa energji elektrike prej dy ditësh. Mungese te furnizimit ka edhe vete qyteti i Bilishtit. OSHEE, ka bërë me dije se në terren kanë dalë grupet e avarive dhe po përpiqen të eliminojnë defektet e shkaktuara nga kushtet atmosferike.

Në Bilisht ndodhet një grup pune i specializuar nga nënstacioni i Elbasanit që po merret me riparimin e defekteve në shtyllat e tensionit të lartë. Ndërkohe shtylla të rrezuara dhe linja të këputura të transmetimit të energjisë elektrike ka pothuajse në të gjitha fshatrat malore të zonës së juglindjes.

Edhe në bashkinë e Pogradecit, një pjesë e mirë e fshatrave të njësive administrative të Trebinjës, Velçanit, Çërravës dhe Proptishtit, vuajnë ndërprerjen e energjisë elektrike. Përveç mungesës së energjisë elektrike, në fshatrat malore të qarkut të Korçës, raportohet se trashësia e dëborës ka shkuar deri ne 50 cm, dhe pjesë e mirë e tyre janë të izoluar me qendrat e bashkive dhe njësive administrative përkatëse. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos