
Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike, e ftuar në studion e “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, komentoi situatën në PD, duke theksuar se i duket “papërgjegjshmëri që një situatë e tillë të vazhdojë për një vit e gjysmë”.
“Njerëzit më thonë se nuk e kuptojnë fare se çfarë ndodh në 3 orët e para të Parlamentit sepse bllokohet foltorja. E dyta, nuk ka njeri sot më të kënaqur në Parlament nga debati dhe sherri në PD sesa mazhoranca. Në momentin e parë që kanë mundësi, ata e përmendin këtë. Unë e shikoj të pakonceptueshme që një politikan me eksperiencë të nisë fjalime të tipit besëprerë, i shitur, e me radhë, që nuk i ofrojnë asgjë njerëzve. Më duket papërgjegjshmëri që një situatë e tillë të vazhdojë për një vit e gjysmë, të përdoret Parlamenti për një sherr që është për karriget tona. Unë kam preferuar që t’i lë njerëzit të shprehin mllefin, kemi treguar papjekuri politike. Besoj që PD-në duhet ta kishin bashkuar kauzat me kohë. Ne mund të mendojmë ndryshe, por kjo nuk më bën më pak demokrate se të tjerët që janë në anën tjetër, apo të shitur”, tha Tabaku.
“Gjërat që na kanë ndarë, vazhdojnë të na ndajnë. Unë mendoj që PD-ja duhet t’i shkojë njerëzve jo me sharje, por me alternativë. PD-ja duhet të reformohet, t’i drejtohet të gjithë shoqërisë me një ofertë të gjerë dhe kjo nuk po ndodh”, shtoi deputetja demokrate. (A2 Televizion)