Rritja e çmimeve, PD thërret në seancë Autoritetin e Konkurrencës. Koti: Votoi kundër shqiptarëve

Nga A2 CNN
30 Shtator 2021, 13:03 | Politikë

Vendimi i Autoritetit të Konkurrencës për të mos gjobitur kompanitë e importit të miellit, ka sjellë dhe reagimin e PD-së, duke e thirrur në Komisionin e Ekonomisë që të japë sqarime. Në një deklaratë për mediat, nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Sorina Koti, tha se ky Autoritet votoi kundër shqiptarëve dhe mirëqenies së tyre

"Duke parë situatën e vështirë ekonomike në të cilën ndodhet Shqipëria prej shumë kohësh, sot Partia Demokratike, Komisioni i Ekonomisë, dorëzoi kërkesën për thirrje në Komision të Autoritetit të Konkurrencës, pasi, jo më larg se dy ditë, ky autoritet me votën pro qeverisë, votoi kundër marrëveshjes së tregut të lirë, votoi kundër qytetarëve shqiptarë për uljen e çmimit të bukës dhe të miellit. Ky Autoritet cenon ndjeshëm mirëqenien e qytetarëve shqiptarë pasi vendimi për të mos gjobitur kompanitë të cilat cenojnë një produkt bazë siç është buka, po bëjnë përditë e më shumë vendime të cilat cenojnë jetën e qytetarëve. Ne sot, me bindje siç kemi qenë edhe 2-3 javët e fundit afër qytetarëve për këtë produkt jetik siç ka qenë çmimi i bukës, thërrasim Autoritetin e Konkurrencës në dëgjesë për të na shpjeguar se përse e votoi kundër qytetarëve shqiptarë, përse votoi pro rritjes së çmimit të bukës dhe gjithashtu do t’i kërkojmë që shporta bazë të jetë një nga prioritetet që duhet marrë në konsideratë qoftë nga Autoriteti i Konkurrencës, qoftë nga qeveria.  Sepse, jemi një nga vendet e fundit në rajon për shkak të uljes së pagave, të rritjes së çmimeve, të nivelit të varfërisë dhe të rritjes së korrupsionit”.

Një ditë më parë, Autoriteti i Konkurrencës vendosi të mos gjobisë 5 kompanitë e importit të grupit dhe miellit duke mbyllur hetimin 1-vjeçar të thelluar për ta.

Por Koti thekson se ky Autoritet duhet të japë llogari përpara Komisionit të Ekonomisë dhe përpara të gjithë shqiptarëve se çfarë po ndodh me shportën bazë.

“Ky Autoritet duhet të japë llogari përpara Komisionit të Ekonomisë dhe përpara të gjithë shqiptarëve se çfarë po ndodh me shportën bazë, me produktet jetike dhe është në dorën e tyre që në kushtet e një varfërie, në kushtet e një mosbalancimi të tregut, janë autoritetet shtetërore, të cilat me mekanizmat e tyre ndërhyjnë për të balancuar këtë treg. Ne jemi pranë qytetarëve, ishim përsëri në Komision dhe ditën e hënë do të vazhdojmë tentativat për të sjellë Autoritetin në Parlament”.

Deputetet e PD kanë kërkuar që në seancën dëgjimore kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës t’i njohë  me masat dhe procedurat e kryera nga Autoriteti për rritjen e çmimit të bukës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos