PD denoncon: Tenderi për ndërtimin e Teatrit të ri iu dha bashkëshortit të Genta Sulës

Nga A2 CNN
16 Dhjetor 2022, 15:41 | Politikë
PD denoncon: Tenderi për ndërtimin e Teatrit të ri iu dha

Partia Demokratike ka akuzuar kryebashkiakun Erjon Veliaj se ia ka dhënë tenderin për ndërtimin e Teatrit të Ri bashkëshortit të Genta Sulës, kryetares së Autoritetit të Dosjeve. Në një deklaratë për media Adriana Kalaja thotë se ky është një këmbim favoresh për nderin, që sipas saj, “ajo i bëri regjimit dhe mafies së betonit, në përpjekje për të njollosur pa prova dhe duke shpërdoruar detyrën, ish- presidentin Meta”. Kalaja ngriti një sërë pyetjesh në lidhje me këtë çështje dhe zbardhjen e saj.

Deklaratë e kryetares së Komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja

Kryetari ilegjitim i Bashkisë Tiranë me 7% të votave, vijon në mënyrë konseguente konsumimin e veprave penale që lidhen, si me shembjen e Teatrit Kombëtar, ashtu dhe me ndërtimin e Teatrit të Ri, bazuar në projektin korruptiv të Kullave.  

Sot Partia Demokratike, në mbështetje të betejës unike afro 5 vjeçare, të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, denoncon veprimet korruptive te Erion Veliajt lidhur me tenderin për ndërtimin e Teatrit të Ri.

Ndërkohë që Erion Veliaj nuk zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me Teatrin Kombëtar, ndërkohë që SPAK po heton mosekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga kryebashkiaku, ky i fundit bën manovra lidhur me tenderin e firmës që do ndërtojë Teatrin e Ri.

Rezulton, sipas shkresës pa datë të Bashkisë Tiranë, se është shpallur fitues bashkimi i operatorëve “AGI KONS” dhe “BE – IS” për në shumën e rreth 16 milion Euro.

Tenderi i është dhuruar bashkëshortit të znj. Genta Sula, kryetares së Autoritetit të Dosjeve, si qokë për nderin që ajo i bëri regjimit dhe mafies së betonit, në përpjekje për të njollosur pa prova dhe duke shpërdoruar detyrën, ish Presidentin Meta.

Në këto kushte, ne e çmojmë të domosdoshme të ngremë pyetjet legjitime dhe që i shërbejnë zbardhjes së çështjes si:

1. Se si është e mundur që të procedohet me tenderin e përzgjedhjes së firmës ndërtuese ndërkohë që tenderi i projektit është në zyrat e SPAK?

2. Çfarë ka konstatuar nga kjo dosje prokurori Kondili ndërkohë që është pezulluar auditimi?

3. Çfarë lidhje ka kjo dosje me kallëzimin penal të KLSH-së Nr.29 të vitit 2020?

4. A është konstatuar se megjithëse “është zhvilluar tenderi i projektit”, projekti në zbatim sipas provave që kemi depozituar në SPAK, por edhe sipas deklarimeve të të kallëzuarit prej nesh Veliaj, projekti që do zbatohet është po ai i Bjarke për të cilin Aleanca ka referuar kallëzimin penal të datës 13.07.2020?

5. A mund të zhvillohet tenderi i firmës ndërtuese ndërkohë që KLSH-ja ka pezulluar procedurat e auditimit?

6. Pse nuk është ekzekutuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese Nr.29 nga i kallëzuari nga Aleanca, Erion Veliaj, e cila ka vendosur që prona e Teatrit Kombëtar të kthehet nga Bashkia Tiranë te Ministria e Kulturës, dhe a po hetohet nga SPAK?

7. A e ka kthyer këtë pronë i kallëzuari nga Aleanca Erion Veliaj dhe kush janë aktet që e kanë bërë pronar sërish dhe a po hetohet nga SPAK?

8. Nga e di koston e ndërtimit i kallëzuari nga Aleanca Erion Veliaj kur nuk ka një preventiv shpenzimesh nga firma ndërtuese për totalin e punimeve?

9. Nisur nga fakti se i kallëzuari Erion Veliaj ka thënë se projekti është i Biarke Ingels, nga e dinte këtë Veliaj në maj 2020?

Partia Demokratike denoncon karshillëkun që Veliaj i bën si Gjykatës Kushtetuese ashtu edhe SPAK, duke organizuar një tender në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe duke kërkuar fillimin e punimeve në një projekt korruptiv në dëm të interesave të trashëgimisë kulturore.

Sipas deklarimeve të Veliajt para pak ditësh, punimet për ndërtimin e Teatrit të Ri do fillojnë më datë 21 dhjetor. Edhe pse për këtë ndërtim nuk është miratuar Leja e Ndërtimit nga KKRRT.

Kjo seri shkeljesh flagrante ligjore, shoqëruar me “përtesën” e SPAK për të hapur cështje për Veliajn, nuk na ndalon në betejën tonë që TEATRI të jetë ATY DHE ASHTU SIÇ ISHTE! (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos