Rritja e çmimeve, Tabaku: Jo vetëm Putin fajtor, por edhe Rama

Nga A2 CNN
9 Mars 2022, 12:37 | Politikë
Rritja e çmimeve, Tabaku: Jo vetëm Putin fajtor, por edhe Rama

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, thotë se fajtor për inflacionin në vend është fajtor kryeministri Rama, jo vetëm Vladimir Putin, urdhëruesi i pushtimit të Ukrainës.

“Po i afrohemi një krize ekonomike dhe në xhepat e secilit prej qytetarëve. Çmimi naftës po shkon 300 lekë/litër dhe kjo do të thotë që të gjithë produktet e tjera do të rriten ndërsa të ardhurat e qytetarëve do të zhvlerësohen. Shqipërinë po e përndjek kriza e stagflacionit, ku njerëzit do të shpenzojnë më shumë për naftën dhe më pak për ushqimet e shportës. Në një vend ku 40% e të ardhurave shkojnë për ushqimet bazike dhe pijet joalkoolike kjo do të thotë më shumë shpenzime për më pak produkte.

E gjitha kjo nuk ka fajtor vetëm Putin edhe as luftën, qeveria Rama ka që në vitin 2014 që ka rritur taksat që ka vendosur tek nafta. Sot gati 60% e çmimit të naftës është prej taksave dhe tarifave ndërkohë që shqiptarët kanë rrogat më të ulëta në rajon”, thotë Tabaku në një postim në Facebook.

Sipas saj, rruga e vetme për të dalë nga kjo krizë është ulja e taksave. “Por kur qeveria ka më shumë për zemër koncesionet dhe PPP-të korruptive se sa kuletën e qytetarit ajo nuk është më një qeveri e qytetarëve por një qeveri e oligarkëve. Nëse vazhdohet kështu kriza do shkojë edhe më thellë në xhepat dhe kursimet e qytetarëve”, thotë Tabaku. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos