Rritja e rasteve me koronavirus, pjesa më e madhe e Europës rikthen disa nga masat

Nga A2 CNN
19 Tetor 2020, 08:00 | Bota
Rritja e rasteve me koronavirus, pjesa më e madhe e Europës rikthen

Disa shtete europiane po përballen me atë që quhet një valë e dytë e koronavirusit, me numrin e të infektuarve që vijon të rritet. Edhe këtë fundjavë, Franca shënoi një tjetër rekord për të infektuarit e rinj, që arritën deri në 30 mijë, në 24 orët e fundit.

Gjithsesi, ekspertët e shëndetësisë thonë se numri kaq i lartë i rasteve të reja i referohet edhe rritjes së kapacitetit të testimeve. Përveç masave të reja kufizuese që në Francë hynë në fuqi nga e shtuna, masa të reja hyjnë në fuqi sot edhe në pjesë tjetër të Europës.

Kështu në Belgjikë, baret dhe restorantet janë mbyllur për 4 javë dhe një masë ndalim-lëvizje do të jetë në fuqi nga mesnata deri në 05:00 të mëngjesit, ndërsa alkooli do të jetë i ndaluar pas orës 20:00 të mbrëmjes.

Në Zvicër, prej së dielës, mbajtja e maskës është e detyrueshme edhe në ambientet e hapura, dhe mbledhja e më shumë se 15 personave në publik do të jetë e ndaluar.

Republika Çeke tha se do të presë edhe 2 javë për të parë gjendjen në vend e për të vendosur nëse do të rikthehet në izolim kombëtar apo jo. Në Irlandë një vendim për masat e reja pritet të merret sot, me qeverinë që po mendon që vendi të kalojë menjëherë në fazën 4, që do të thotë mbyllje e çdo aktiviteti jo të rëndësishëm.

Këtë fundjavë, edhe Gjermania vendosi një rekord të ri sa i takon rasteve të reja ndërsa kancelarja Merkel iu kërkoi qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin udhëtimet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos