
Në një kohë kur të dhënat sensitive e pritave të qytetarëve shqiptarë po dalin sheshit, qeveria parashikon të krijojë edhe një bazë tjetër të dhënash.
Vendimi më i fundit i Këshillit të Ministrave parashikon krijimin dhe funksionimin e një regjistri ku do të mblidhen të dhënat e të rinjve. Ato ndahen në dy kategori, parësore dhe dytësoret. Këto të fundit janë ato që përbëjnë informacion konfidencial dhe shteti bën një zotim që ditët e fundit tingëllon gati qesharak.
“Garantimin e masave teknike dhe organizative të përshtatshme për të mbrojtur të dhënat personale nga shkatërrime të paligjshme, humbje aksidentale, për të mbrojtur aksesin ose përhapjen nga persona të paautorizuar, veçanërisht kur përpunimi i të dhënave bëhet në rrjet, si dhe nga çdo formë tjetër e paligjshme përpunimi”.
Pjesë e të dhënave që synon të administrojë qeveria është pjesëmarrja në organizata jo fitimprurëse, shoqëritë tregtare dhe numrat e tyre unik.
Kjo VKM pritet të hyjë menjëherë në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare dhe miratohet nga qeveria në një kohë kur në rrjet janë hedhur të dhënat e 900 mijë qytetarëve shqiptar, që nga numri i kartës së identitetit, telefonit, paga e deri tek orientimi politik. (A2 Televizion)