
Sekretari për organizimin digjital në Partinë Demokratike, Endri Hasa, u shpreh se “gjatë këtyre 48 orëve, pas daljes së listës së pagesave për 630 mijë qytetarë shqiptarë dhe të huaj, Edi Rama është përpjekur ta zvogëlojë skandalin, ta izolojë te një person”.
“Të gjithë e dinë që e bën për të mbuluar gjurmët e veta në këtë krim me përmasa të jashtëzakonshme! Krim nuk është vetëm publikimi i të dhënave! Krim është mbledhja e këtyre të dhënave që prekin sigurinë e qytetarëve për qëllime elektorale. Vjedhja e të dhënave të kartës së identitetit, vendit të punës, numrit të telefonit, pagës së qytetëtarëve është pjesë e skemës kriminale të patronazhimit për vjedhjen e zgjedhjeve të 25 prillit. Asnjë ndjesë hipokrite, as lotët e krokodilit të Edi Ramës nuk mund ta mbulojnë të vërtetën e përdorimit të të dhënave personale të qindra mijëra qytetarëve shqiptarë vetëm që Edi Rama të merrte një mandat të tretë”, tha Hasa.
“Në një vend normal, kryeministri do të kishte dhënë dorëheqjen, por ne nuk jemi ky rast. Shqipëria është vendi ku vidhen zgjedhjet, prandaj vidhen dhe dalin në publik edhe pagat e qytetarëve, edhe të dhënat e tyre më personale, që mbrohen me ligj. Edi Rama mund të përpiqet të mashtrojë shqiptarët me fjali të tilla se sot e tutje do t’i kushtojë më shumë vëmendje sigurisë së sistemeve të të dhënave personale, por e vërteta është ndryshe. Shqiptarët duhet të dinë se me taksat e tyre kanë paguar disa institucione që kanë për detyrë të ruajnë të dhënat e tyre. Në këto 8 vjet, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Autoriteti Kombëtar për certifikimin elektronik dhe Sigurinë Kibernetike kanë shpenzuar mbi 160 milionë euro. Këto para janë paguar për të vetmin qëllim, që të dhënat e qytetarëve shqiptarë të jenë të sigurta”, shtoi Hasa.
Sipas tij, “dora që i mori të dhënat tuaja në fillim të këtij viti ka pasur vetëm një qëllim, t'i përdorë ato për t'ju shantazhuar, joshur apo kërcënuar për votën që ju do të hidhnit në kuti në 25 prill”. (A2 Televizion)