
Thuajse të gjithë gjimnazistët që u nënshtrohen provimeve të maturës po marrin nota kaluese dhe nga viti në vit rruga për të shkuar në universitet po bëhet më e lehtë.
Sigurisht që në drejtim të sasisë ku mund të jetë një lajm i mirë, por a mund të thuhet e njëjta edhe për cilësinë? “Ne kemi kthyer konceptin e hinkës mbrapsht. Kemi vendosur filtrin në fillim, përzgjedhim, por ama i diplomojmë të gjithë në fund. Studentët vijnë me idenë që unë e kalova testimin dhe tashmë duhet thjesht të ndjek rrugëtimin 5-vjeçar. Por po humbet vlera e dijes”, thotë Irsa Ruçi, eksperte për arsimin.
Në rritje ka ardhur edhe nota mesatare e provimeve të maturës që ka më pak se 6.8 në 2014-n arriti në mbi 7.5 në 2020-n, e gati 7.4 sivjet në një kohë kur pranohet se pandemia ka krijuar boshllëqe në dijet e të rinjve.
“Kemi rezultate ku dija nuk është 100%, ndoshta për këtë arsye nxënësit e kanë pasur më të lehtë të marrin notën”, thotë Nora Malaj.
Si thuajse asnjëherë më parë, kjo maturë shtetërore u karakterizuar nga një nivel i ulët i përgatitjes së gjimnazistëve në drejtim të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, provim ku shkëlqyen vetëm 4 vetë, ndërsa nota mesatare nuk arriti as në 7.5. (A2 Televizion)