
Ekipi olimpik shqiptar mbylli aventuren e saj në Tokio, ku nuk mundi të fitojë medalje, por mbajti gjithsesi kokën lart në paraqitje.
Kështu mendon edhe kreu i federatës së Atletikës, Gjergj Ruli, i cili e cilësoi një nga “grupimet më të bukura që kemi patur.
“Të gjithë atletet kanë përmirësuar rezultatet e tyre. E kemi kërkuar medalje, por është edhe fati pastaj. Izmiri preku me një milimetër pedanën, dhe u skualifikua, ndërkohë që me limitin e tij i afrohej medaljeve. Por këto gjëra ndodhin, i kanë ndodhur edhe amerikaneve. Luiza është bletë punëtore që di të administrojë veten, duke arritur në finale. Duhet të kuptojnë që Luiza në finale pati edhe emocione, kundër atleteve që stërviten në kushte shumë më të mira. Nuk e shoh gotën gjysmë bosh”, thotë ai.
“Kam 45 vjet në sport dhe është hera e parë që kemi patur një stimul për atletët, por kjo nuk është e mjaftueshme për të projektuar një atlet në olimpiadat e radhës, duhet punuar në grup, duhet një staf i përgatitur, nga doktori tek psikologu, se atleti nga presioni ka nevojë edhe për atë ndihmë. Projeksioni bëhet në tre vjet. Kemi kampionatin botëror në Beograd, dhe data është shumë e afërt, në 6 mars, kështu që duhet të përgatitemi, ne as nuk kemi mundësi për t’u stërvitur, gjatë dimrit. Në qoftë se duam një paraqitje dinjitoze, ne duhet të përgatitemi shumë muaj më parë”.
Sipas tij, “në vendet e tjera, përgatitja është familjare, ku institucionet përkujdesen edhe për familjen në mënyrë që atleti mos të ketë shqetësime të tilla. Fituesin italian Lamont Jacobs, Izmiri e kishte mundur në të gjitha garat në kërcim së gjati, pastaj kaloi në 100 metra. Nëse do të kem ato që më janë premtuar, Izmir Smajlaj hyn në pjesën e sportisteve më të mirë në botë, ai është sportisti më i mirë në botë për disa parametra, dhe do të na bëj shumë krenarë. Sporti është politik, dhe sporti është ambasador i një vendi. Edhe në Tokio nuk kemi bërë asnjë turp, por mund të qëndrojmë me kokë lart”. (A2 Televizion)