Rusët dhe ukrainasit presin paqe, por Kremlini është pesimist për takimin Biden-Putin

Nga A2 CNN
7 Dhjetor 2021, 13:06 | Bota
Rusët dhe ukrainasit presin paqe, por Kremlini është pesimist

Rusia nuk pret rezultate domethënëse në takimin virtual mes presidentit, Vladimir Putin, me homologun amerikan, Joe Biden. Pohimi vjen nga Kremlini, disa orë përpara ballafaqimit mes dy liderëve të superfuqive globale. Megjithatë, u bën thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të qetë, pavarësisht tensioneve në rritje. “Është një bisedë pune që zhvillohet në një periudhë shumë të vështirë”, u shpreh zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Ai shtoi se presidenti Putin është gati të dëgjojë shqetësimet e homologut Biden dhe gjithashtu të shprehë propozimet e tij për zgjidhjen e krizës në Ukrainë. Peskov pranoi se tensionet me Europën janë të jashtëzakonshme dhe theksoi se ato mund të adresohen vetëm me një diskutim personal të nivelit të lartë mes Biden dhe Putin.

Ndërkohë, qytetarët në Rusi dhe Ukrainë kanë pritshmëri të larta për takimin virtual mes presidentëve, Vladimir Putin dhe Joe Biden. Ata shpresojnë që tensionet të ulen dhe që situata të ndryshojë për më mirë.

https://a2news.com/2021/12/07/do-te-jete-masaker-ukraina-paralajmeron-per-pasojat-e-luftes-para-takimit-biden-putin/

“Ata duhet të ulin rrezikun e një ‘lufte të nxehtë’, sa për të thënë. Se sa është e mundur kjo, mbetet një pyetje e rëndësishme. Nuk besoj se nga ky takim do të dalë diçka e prekshme”, tha Vladimir Bulatov, banor i Moskës. “Amerikanët nuk janë gati të përafrohen në këtë çështje pasi për ta është me leverdi që të kenë një mënyrë për të na bërë presion. Prandaj nuk mendoj se ka gjasa që në këtë takim ata të heqin dorë nga një e tillë”, thotë Alena Cheremnykh, banore e Soçit.

“Ata do të bisedojnë nëse do të ketë luftë ose jo. Mendoj se do flasin për këtë dhe se si mund të zgjidhet kjo krizë. Kjo pasi trupat ukrainase janë të mobilizuara këtu. Me sa di unë, 120 mijë ushtarë janë vendosur këtu, pra gjysma e ushtrisë së Ukrainës. Shpresoj që gjithçka të zgjidhet në mënyrë paqësore”, tha Igor, banor i Donjeckut. “Mendoj se do të flasin për Ukrainën, lidhur me Donbasin. Gjërat duhet të ndryshojnë, për këtë po shpresojmë”, tha Elena, gjithashtu banore e Donjeckut. “Kam pritshmëri të larta. Besoj se Biden është një mik i madh i shtetit tonë. Deri më tani, ka provuar se është një person që dëshiron të ndihmojë Ukrainën në këtë situatë”, u shpreh Volodymyr Pylypyuk, banor i Kievit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos