Rusët pushtojnë Luhanskun, ushtria ukrainase tërhiqet nga Lisiçansk, Zelensky: Do të rikthehemi

Nga A2 CNN
4 Korrik 2022, 11:45 | Bota
Rusët pushtojnë Luhanskun, ushtria ukrainase tërhiqet nga

Qyteti strategjik i Lisicansk, në lindje të Ukrainës ka rënë në duart e rusëve. Lajmi që u raportua fillimisht nga Moska, u konfirmua më vonë edhe nga ushtria ukrainase. Shefi i Shtabit bëri të ditur se forcat e rezistencës ishin detyruar të tërhiqen nga pozicionet e tyre. Siç u tha, vendimi u mor për të shpëtuar jetët e mbrojtësve ukrainas, pasi rusët kishin avantazhin në artileri, mjete ajrore dhe forca ushtarake.

Presidenti Volodimir Zelensky u zotua se do të riktheheshin në Lisicansk, falë taktikave dhe rritjes së furnizimeve me armatime moderne.

“Ne do t’i rindërtojmë muret tona, do të rifitojmë tokën tonë, por njerëzit duhet të mbrohen mbi çdo gjë tjetër. Nëse komandantët i tërheqin forcat nga zona të caktuara ku armiku ka avantazhin më të madh, përfshirë Lisiçanskun, kjo do të thotë një gjë: ne do të kthehemi falë taktikave tona, falë rritjes së furnizimeve me armatime moderne”.

Më herët, ministri i Mbrojtjes në Rusi, Sergei Shoigu tha se forcat e Moskës kishin pushtuar Lisicanskun dhe kishin marrë kontrollin e plotë të rajonit të Luhanskut.

Sakaq, lideri çeçen Ramzan Kadyrov, publikoi një video ku dukeshin ushtarët çeçen në qendër të qytetit lindor. Më në perëndim, qyteti ukrainas i Slovyansk u vu në qendër të bombardimeve të rënda, me pasojë vdekjen e 6 personave dhe plagosjen e mbi 16 të tjerëve. Bombardimet, që sipas kryebashkiakut ishin më të rëndat deri më tani, shkaktuan gjithashtu 15 zjarre.

Sakaq, Moska akuzoi Kievin se kishte shënjestruar qëllimisht civilët me një sulm me raketë në Belgorod, qytet rus rreth 40 km larg kufirit me Ukrainën. Autoritetet lokale thanë se 4 persona ishin vrarë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes në Moskë, 3 raketa ukrainase Tochka-U ishin rrëzuar, por mbetjet e tyre kishin rënë mbi një bllok apartamentesh. Kievi i mohoi pretendimet, duke thënë se gjithçka ishte një provokim i Moskës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos