Paleontologët e një misioni ndërkombëtar në Rusi kanë deklaruar zbulimin e një strukture të jashtëzakonshme në Kostenki, rreth 400 kilometra në jug të Moskës.
Struktura rrethore, me një perimetër prej më shumë se 12 metrash, mendohet të jetë ndërtuar rreth 25 mijë vite më parë, dhe është më e madhja dhe e vjetra e gjetur në atë zonë.
Ajo ka një veçanti që e bën vërtet mbresëlënëse. Është ndërtuar e tëra me kockat, fildishin dhe kafkat e dhjetëra në mos qindra mamuthë, “paraardhësve” prehistorikë të elefantëve të sotëm, që shërbenin si kolona dhe mure.
“Kockat e mamuthit janë tejet të rënda, dhe ndërtimi rrethor tregon se ka qenë një sipërmarrje jashtëzakonisht e mundimshme për atë kohë”, thotë Alexander Pryor, drejtuesi i misionit.
Deri më tani, janë gjetur kafkat e 64 mamuthëve, por gërmimet nuk kanë përfunduar.
Një mundim i tillë justifikohet vetëm për arsye madhore, por se çfarë domethënie kishte struktura mbetet ende një mister për arkeologët, që kanë botuar një studim paraprak në revistën Antiquity.
Janë gjetur dëshmi që në strukturë është djegur zjarr, por asnjë shenjë që aty ka patur persona që banonin gjatë.
Një hipotezë është ajo që struktura të jetë një tempull ku zhvilloheshin rite fetare, por mund të ketë qenë edhe një magazinë që ruante dru, atëherë një nga elementët më të çmuar që njerëzit parahistorik kishin për të mbijetuar, pasi kishin zbuluar vetitë e zjarrit. (A2 Televizion)