Rusia dënon me 9 vite burg basketbollisten amerikane

Nga A2 CNN
4 Gusht 2022, 18:20 | Bota
Rusia dënon me 9 vite burg basketbollisten amerikane

Një gjykatë në Rusi dënoi me 9 vjet burg basketbollisten amerikane, Brittney Griner nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike. Sportistja e njohur gjithashtu do të duhet të paguajë dhe një gjobë prej 16 mijë dollarësh për akuzat e ngritur.

Griner u shpall fajtore për akuzën e trafikut të lëndëve narkotike, por ajo e mohoi përpara trupit gjykues se kishte shkelur ligjin.

Medalistja olimpike u arrestua në muajin shkurt pranë aeroportit të Moskës, pasi në bagazhet e saj u gjet një sasi e vogël vaji kanabisi, substancë kjo që është e ndaluar në Rusi.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden e dënoi menjëherë arrestimin e basketbollistes dhe kërkoi lirimin e saj.

Është ende e paqartë se sa kohë 31 vjeçarja do të qëndrojë pas hekurave, ndërkohë që SHBA dhe Rusia kanë nisur bisedimet për shkëmbim të burgosurish, ku mund të përfshihet dhe lojtarja e basketbollit.

Mediat në SHBA raportojnë se Rusia mund të kërkojë lirimin e trafikantit të armëve Viktor Bout në këmbim të Griner. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos