Rusia dhe Turqia hapin qendër të përbashkët monitorimi për Nagorno-Karabakun

Nga A2 CNN
30 Janar 2021, 13:06 | Bota
Rusia dhe Turqia hapin qendër të përbashkët monitorimi

Rusia dhe Turqia hapën një qendër të përbashkët të shtunën për të vëzhguar armëpushimin në Nagorno-Karabak, për të cilin u ra dakord pas shpërthimi të konfliktit në rajon vitin e kaluar, tha Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit të shtunën, raporton Reuters.

Qendra, të cilën të dy vendet ranë dakord në nëntor, u hap zyrtarisht në rajonin Agdam të Azerbajxhanit. Ajo do të plotësohet me 60 ushtarakë nga Turqia dhe nga Rusia, tha ministria e mbrojtjes në një deklaratë.

Pas gjashtë javësh luftimesh, Azerbajxhani dhe Armenia nënshkruan një armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia për enklavën, e cila është e njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por e populluar kryesisht nga armenët etnikë.

Turqia tha të premten se një gjeneral turk dhe 38 anëtarë personeli do të punojnë në qendër.

Ministria ruse e Mbrojtjes, e cituar nga Interfax, tha se "monitorimi do të kryhet përmes përdorimit të mjeteve ajrore pa pilot si dhe vlerësimit të të dhënave të marra nga burime të tjera".

Turqia mbështet Azerbajxhanin mbi Nagorno-Karabakun dhe ka kritikuar bashkëkryetarët e të ashtuquajturit Grupi Minsk i OSBE-së për moszgjidhjen e konfliktit të gjatë në dekada të ndërmjetësimit. Grupi i Minskut drejtohet nga Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Rusia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos