
Britania e Madhe nga dita e diel do të fillojë të pranojë aplikimet për nënshtetësi nga ana e banorëve të ish-kolonisë së saj të Hong Kongut, duke shkaktuar reagimin e ashpër të Kinës.
Bëhet fjalë për një program special, që shndërron përfituesit në BN(O), “nënshtetas britanikë jashtë kufijve”, një hap i ndërmjetëm drejt marrjes së nënshtetësisë së plotë, por që sërish do t’ i mundësojë atyre qëndrimin në Britaninë e Madhe, mundësinë e aplikimit për punë dhe natyrisht edhe lehtësira në kërkesën për nënshtetësi të plotë.
Nuk janë shifra të vogla. Sipas autoriteteve britanike, më shumë se 5 milionë banorë të Hong Kongut, nga rreth 8 milionë në total, kanë të drejtë të aplikojnë. Me shtrëngimet e viteve të fundit, të urdhëruara nga Pekini në dëm të autonomisë politike dhe ekonomike të ish-qytetit shtet, gjasat janë që vendimi i Londrës të shndërrohet në një valë masive emigrimi.
Reagimi zyrtar i Kinës nuk ka munguar. Autoritetet e Pekinit kanë njoftuar se ata nuk do të njohin asnjë dokument që i referohet BN(O)-ve. Një vendim i gjykuar si jo shumë i fortë nga analistët, sepse asgjë i pengon banorëve me atë status që t’i udhëtojnë drejt Britanisë së Madhe me dokument zyrtar të Hong Kongut, dhe më pas të përdorin në kufi dokumentet britanike.
Por disa të tjerë mendojnë se ky është vetëm një testim i parë i Kinës, dhe hapi tjetër do të jetë kërkesa banorëve për të tërhequr të drejtën e tyre për status.
Deri më tani, vetëm 7 mijë banorë të Kong Kongut me statusin e BN(O)-së kanë arritur të transferohen në Britaninë e Madhe. Por kur shifrat të rriten, siç parashikohet, tensioni midis dy vendeve, Londrës dhe Pekinit zyrtar, mund të arrijë maja ende të paprekura. (A2 Televizion)