Rusia fajëson NATO-n për krizën në Kosovë: Duhet asociacioni

Nga A2 CNN
30 Maj 2023, 15:17 | Kosova
Rusia fajëson NATO-n për krizën në Kosovë: Duhet

Rusia akuzon KFOR-in për shtimin e tensioneve në veri të Kosovës. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, pretendon se anëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s “kanë vepruar në mënyrë joprofesionale duke shkaktuar dhunë të panevojshme”. Gjithashtu kërkoi nga perëndimit të ndalë atë që e quajti “propagandë” lidhur me fajësimin e serbëve për krizën në Kosovë.

“Duhen hapa vendimtarë për uljen e tensioneve dhe jo gjysmëmasa si ideja e amerikanëve për të ‘rivendosur’ përkohësisht ‘kryebashkiakët’ e sapobetuar nga ndërtesat komunale në objekte të tjera. Detyra numër një është ende krijimi i bashkësisë së komunave serbe në krahinë në formën e saj origjinale, e nënshkruar dhjetë vjet më parë në marrëveshjet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nën garancitë e Brukselit”, deklaroi Maria Zakharova, Zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme Ruse.

Sakaq, përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë pranë organizatave ndërkombëtare në Vjenë, Mihail Uljanov, kërkoi që Serbia të dërgojë një numër të caktuar policësh dhe ushtarësh në territorin e Kosovës.

“Për shkak të situatës aktuale në Kosovë dhe Metohi, do të ishte e dobishme të kujtojmë se në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Beogradi rezervon të drejtën për të kthyer një numër të kufizuar të policëve dhe ushtarëve të tij në atë rajon”, u shpreh Mikhail Ulyanov, përfaqësues i përhershëm i Rusisë pranë organizatave ndërkombëtare në Vjenë.

Më herët ka qenë vetë ministri i jashtëm i rusisë, Sergei Lavrov, që ka komentuar tensionet duke pretenduar se “një shpërthim i madh mund të ndodhë në zemër të Europës”, teksa ka fajësuar perëndimin për situatën e krijuar. Kjo thirrje vjen në një kohë kur Serbia ka aktivizuar nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake dhe ka dislokuar një numër ushtarësh pranë kufirit me Kosovën.

Ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, tha se shpresonte për një zgjidhje politike të situatës së tensionuar në komunat veriore të Kosovës, por nuk përjashtoi asnjë pistë, as atë të luftës. Sakaq, Kosova Press ka publikuar pamje të disa helikopterëve të ushtrisë serbe që patrullojnë në kufi me Kosovën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos