
Rusia hidhet në sulm. Në ditën e 91 të luftës në Ukrainë, ushtria e Vladimir Putin ka lëshuar raketa në rajonin lindor të Dnipropetrovsk dhe atë juglindor të Zaporizhzhia. Dëmet e shkaktuara janë të konsiderueshme: 1 viktimë, 3 të plagosur dhe 62 ndërtesa të dëmtuara në zona të banuara.
Betejë e ashpër raportohet edhe në Donbas, aty ku Rusia ka përqendruar të gjithë fuqinë e saj luftarake të angazhuar në atë që e konsideron “operacion special ushtarak”.
“Situata në Donbas është jashtëzakonisht e vështirë. Të gjithë rusët që kanë mbetur janë përqendruar tani në këtë rajon. Lyman, Popasna, Sievierodonetsk, Slovyansk: pushtuesit dëshirojnë të shkatërrojnë gjithçka aty. Por në përgjimet e bisedave të tyre ne dëgjojmë qartë se ata e kanë kuptuar që kjo luftë nuk ka asnjë kuptim për ta dhe që ushtria e tyre nuk ka asnjë shans për fitore”, deklaroi Zelensky.
Presidenti ukrainas vajtoi mijëra personat e vrarë në këtë luftë dhe përsëriti apelin për më shumë armë të rënda nga partnerët e huaja, duke konfirmuar që ato “janë investimi më i mirë për stabilitet në botë”.
Kjo vjen teksa ushtria e Kievit njoftoi se njësitë filoruse të Donjeckut dhe Luhanskut, me mbështetjen e forcave të Moskës, rrëzuan mbrojtjen ukrainase në Svetlodar Bulg, duke fituar dhe më shumë terren në rajonin lindor të Donbasit. Gjithashtu, akuzon ushtrinë e Putinit se qëllimisht po tentojnë të fshijnë nga faqja e dheut qytetin Severodonetsk.
Ndërkohë, në Mariupolin e shkatërruar, besohet se të paktën 22 mijë banorë kanë humbur jetën gjatë luftës 3-mujore të Rusisë. Autoritetet e qytetit-port paralajmërojnë se bilanci zyrtar mund të jetë edhe më i lartë. (A2 Televizion)