Rusia pranon gabimet e mobilizimit, ndërsa rusët vërshojnë drejt kufijve

Nga A2 CNN
27 Shtator 2022, 08:17 | Bota
Rusia pranon gabimet e mobilizimit, ndërsa rusët vërshojnë

Radhë të pafundme automjetesh, që presin me orë për të kaluar kufijtë rusë. Janë pamje me dron të realizuara pranë kufirit me Gjeorgjinë, dëshmi e eksodit masiv te djemve e burrave rusë, për t’i shpëtuar mobilizimit në luftë.

“Nuk dua të shkoj. Ata po i detyrojnë njerëzit me forcë, por unë nuk dua të luftoj për Putinin dhe të vdes i ri”, thotë një shtetas rus nga Shën Petersburgu.

 “Njerëzit janë të frikësuar. Askush nuk do të vdesë. Kështu qytetarët zgjedhin tëprotesojnë në këtë mënyrë, duke u larguar nga vendi”, thotë një tjetër nga Moska.

Mbrëmjen e së hënës, Kremlini pranoi se ishin bërë gabime në fushatën për mobilizimin e rezervistëve në luftën në Ukrainë.

Sipas raportimeve të shumta, meshkuj pa eksperiencë ushtarake, të cilat janë të moshuar apo me aftësi të kufizuara po thirren për mobilizim. Por sipas zëdhënësit po punohej për korrigjimin e gabimeve.

“Ka pasur raste kur dekreti është shkelur. Këto raste të mospërputhjes me kriteret e kërkuara po eliminohen”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

Presidenti Putin njoftoi atë që e quajti mobilizim të pjesshëm më 21 shtator, me ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu që sqaroi më vonë se 300 mijë rezervistë do të thirreshin. Megjithatë raportime nga mediat opozitare në rusi, sugjerojnë se mobilizimi mund të përfshijë deri në 1 milion njerëz. Kjo ka alarmuar djemtë dhe burrat në rusi, të cilët po shfrytëzojnë çdo mundësi për t’u larguar nga vendi.

Sipas gazetës së pavarur, Novaya Gazeta, mbi 260 mijë meshkuj kanë lënë Rusinë që prej shpalljes së dekretit, ndërsa 17 mijë shtetas kishin hyrë në Finlandë gjatë fundjavës.

Të hënën, një ligjvënës rus kërkoi që kufijtë e vendit të mbylleshin për meshkujt në moshë lufte, mes eksodit që po regjistrohet ditët e fundit.

Ekspertët ushtarakë në perëndim dhe Ukrainë thonë se vendimi i Putinit për të mobilizuar rezervistët tregon se trupat ruse po dështojnë keq në fushëbetejë, 7 muaj pas nisjes së luftës së paprovokuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos