
Një muaj pas nisjes së pushtimit, Rusia lëshon deklarata që cenojnë integritetin territorial të Ukrainës.
“Ne i bëjmë thirrje administratës së Zelensky-t, nuk di si ta quaj, këtij grupi shokësh, të mendojë për fatin e vendit, njerëzve, jetës së popullatës, të nxjerrë përfundime, të marrë vendimet e duhura. Ata kanë humbur tashmë mundësinë kryesore për ekzistencën e Ukrainës brenda kufijve të saj, një Ukraine sovrane, një Ukraine të pavarur”, tha Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse.
Zakharova shpjegoi se Rusia ia ofroi këtë mundësi Ukrainës në vitin 2014 dhe për 7 vite me radhë në negociatat dhe marrëveshjen Minskut dhe akuzoi Kievin se nuk dëshironte dialog. Zakharova tha edhe se tani vendi po shpërbëhet para syve të botës. Ajo shtoi se lufta ekonomike e shpallur nga Uashingtoni kërcënon të shkatërrojë plotësisht marrëdhëniet diplomatike mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Prej një muaj tashmë, Rusia ka futur trupat e saj në Ukrainë. Luftimet nuk kanë ndaluar për asnjë ditë të vetme, ndërsa raportohet për zhvendosjen më të madhe të njerëzve që prej Luftës së Dytë Botërore.
Më shumë se gjysma e fëmijëve janë zhvendosur që prej nisjes së pushtimit, thekson UNICEF. Forcat ukrainase kanë fituar terren në Kiev duke shtyrë pas ushtrinë ruse, e cila aktualisht gjendet rreth 55 kilometra larg nga qendra e kryeqytetit. Luftimet janë intensifikuar dhe në lindje të vendit.
Forcat ruse janë bërë më aktive në krahinën e Donbasit, po ashtu edhe në Mariupol, ku video të publikuara në rrjete sociale shfaqin civilët të largohen mes një breshërie plumbash. Ndërsa në Odesa vijon beteja në distancë mes luftanijeve. Rusia pretendon se ka marrë kontrollin e qytetit ukrainas të Izyum, në rajonin e Kharkiv, por qeveria e Kievit mohon një zhvillim të tillë duke theksuar se beteja vijon. (A2 Televizion)