Profili i “gruas me karfica”, jeta e mikes së shqiptarëve Madeleine Albright

Nga A2 CNN
24 Mars 2022, 14:33 | Bota

Ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, ndërroi jetë në moshën 84-vjeçare, si pasojë e kancerit. Veterane e politikës së jashtme, Albright mori frerët e diplomacisë amerikane në vitin 1997, gjatë Presidencës së Bill Clinton. Gruaja e parë që mbajti postin e sekretares së Shtetit në Amerikë u bë heroina e shqiptarëve në vitin 1999. Me këmbënguljen e saj për goditjen e Serbisë nga NATO, gjenocidi në Kosovë u ndal dhe vendi u çlirua nga regjimi i kriminelit të luftës, Sllobodan Milloshevic.

Si diplomate, ku takti dhe përzgjedhja e fjalëve në situata të vështira është normë, Madeleine Albright ishte ajo që i thoshte gjërat troç.

Qoftë në gjuhën e larmishme që dënonte Kubën për sulmin ndaj pilotëve amerikanë, qoftë për qëndrimin e saj ndaj liderit të Irakut.

“Nuk besoj që bota të ketë parë, ndoshta që prej periudhës së Hitlerit, dikë aq djallëzor sa Sadam Hussein”

Madeleine Albright

Si kundërpërgjigje, mediat irakiane pranë diktatorit publikuan shkrime ku e quanin Albright “gjarpër”. Përgjigjja e saj ishte shumë më e qetë nga ç’pritej. Albright u shfaq në konferencë të nesërmen me një karficë në formë gjarpri, të vendosur në xhaketë. Karficën, e mbajti në çdo takim me drejtuesit irakianë.

E lindur me emrin Marie Jana në Pragë, më 15 maj 1937, Albright dhe familja e saj lanë Çekosllovakinë pas pushtimit nazist në vitin 1939, ndërsa disa vite më vonë u zhvendosën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në SHBA, Albright studioi Shkenca Politike në Kolegjin “Wellesley” dhe u diplomua me nderime të larta në vitin 1959. Tri ditë pas diplomimit, Madeline u martua me Joseph Medill Patterson Albright, me të cilin pati dhe 3 fëmijë.

Divorci i kërkuar nga i shoqi, 22 vite më pas, ndërroi kursin e jetës së Madeline. “Ishte një krizë identiteti. Siç rezultoi më vonë, ato 10 vite ishin vitet me më shumë ndikim në jetën time”, do ta përkufizonte ajo martesën.

Madeleine dhe Joseph Medill Patterson Albright ditën e dasmës

Duke lënë pas jetën në çift, Albright iu përkushtua punës duke u bërë këshilltare për politikat e jashtme për kandidatin Bill Clinton në vitin 1992. Me marrjen e drejtimit të presidencës nga Clinton, Albright u zgjodh si ambasadore në Kombet e Bashkuara.

Kur shtetet e Bashkuara ishin të fokusuara te diplomacia, Albright votoi në favor të një rezolute të OKB-së, më 10 gusht 1995, përmes së cilës serbët e Bosnjës detyroheshin të tërhiqeshin nga lufta, gjë që çoi edhe në mbarimin e konfliktit më të përgjakshëm të Europës pas Luftës së Dytë Botërore.

Vendin e saj në histori, Albright e forcoi dhe më shumë me zgjedhjen si sekretare e Shtetit më 1997-n, duke u bërë gruaja e parë në histori që mbante këtë post.

Albright duke u betuar si e para femër në postin e Sekretares Amerikane të Shtetit

Shqiptarët gjetën te Madeleine Albright heroinën e tyre. Ishte sekretarja e Shtetit që u kërkoi vendeve të NATO-s të bombardojnë Serbinë për t'i dhënë fund gjenocidit në Kosovë. Pas 11 javësh sulmesh ajrore të referuara nga disa si “Lufta e Madeleine”, Serbia pranoi kushtet e aleancës veriatlantike.

“Kurrë më nuk do të ketë masakra dhe varre masive”

Madeleine Albright

Posti i Sekretares së Shtetit ishte më i larti që Albright mundi të ushtronte në Shtetet e Bashkuara, për shkak të origjinës së saj joamerikane. Gjurmët e origjinës së saj, Albright i shihte të thella dhe në karakterin e saj. “Jeta ime reflekton trazirat e Europës në gjysmën e shekullit të kaluar dhe tolerancën amerikane që prej ekzistencës së saj”.

Albright dhe Clinton, me Hashim Thaçin, duke vizituar Kosovën në 20-vjetorin e sulmeve të NATO-s

Albright u angazhua dhe në fushatën e Hillary Clinton në zgjedhjet presidenciale të 2016-s, ku la gjurmë me shprehjen e saj: “Ka një vend të posaçëm në ferr për gratë që nuk e ndihmojnë njëra-tjetrën”.

Pavarësisht se kërkoi falje për fjalinë e saj të famshme, rolin e saj në mbrojtje të të drejtave të grave, të drejtave të njeriut dhe demokracisë, Albright nuk e braktisi kurrë, duke lënë pas një imazh frymëzues për gjithë amerikanët dhe jo vetëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos